
Policia e kryeqytetit ka nisur hetimet dhe ka referuar materialet në Prokurori për procedim në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve M.K., 41 vjeç, M.Z., 30 vjeç, A.S., 35 vjeçe. Sipas policisë këta tre persona dyshohet si të përfshirë në skandalin tek Burgjet, ku ish drejtori i Burgjeve M. K., dha urdhër për IEVP Shkodër të punësoheshin 20 persona.
Urdhri i nxjerrë dyshohet se është fiktiv dhe është nxjerrë nga zyrtarë të lartë në bashkëpunim në kundërshtim me ligjin gjatë kohës në detyrë dhe është përdorur në fushatë elektorale në qarkun e Shkodrës, në datën 15 qershor duke ju premtuar zgjedhësve vende pune në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Gjatë edicioneve të lajmeve në një TV lokal në Shkodër nga përfaqësuesi i një subjekti politik pjesëmarrës në zgjedhje, është shfaqur dokumenti i sipërpërmendur.
Dyshohet se haptazi janë konsumuar elementet e veprës penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje duke premtuar për vend pune ose favorizime të tjera në kundërshtim me ligjin, për zgjedhësin, vepër penale e parashikuar nga neni 238 i KP .
Nga verifikimet e kryera nga ana e Specialistëve të këtij Seksioni ka rezultuar se procesi i rekrutimit të personelit për I.E.V.P Shkodër është ende në fazat fillestare të tij dhe aktualisht nuk vijon si proces.
Nga hetimet e kryera dyshohet se personat e sipërpërmendur duke përdorur vulën e institucionit kanë falsifikuar këtë shkresë, duke premtuar vende pune gjatë fushatës zgjedhore me qëllim përfitime elektorale. Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje” e kryer në bashkëpunim. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





