
Kryeministri i vendit e ka nisur ditën e sotme në një takim elektoral me banorë të Vorës në kryeqytet ku ka kërkuar prej tyre votën në 25 qershor se vetëm së bashku mund të bëjnë revolucion në administratën shtetërore.
“Them se ka ardhur momenti ose të rrimë të ndarë, ose të bashkohemi bashkë për të bërë një revolucion në administratën shtetërore. Partitë të gjitha bëjnë premtimet e tyre, pazaret e tyre, e me radhë dhe të gjithë njerëzit sipas momentit bëjnë zgjedhjen e tyre.
Por unë them se me votën e bashkuar të 25 qershorit për PS, të vazhdojmë punën e nisur për Shqipërinë që duam, me shtet, punë, mirëqenie ta çojmë më tej, më shpejt, duke çelur një epokë të re edhe për Vorën”, u shpreh Rama.
Kryeministri gjatë takimi i ka dërguar një mesazh edhe kryebashkiakut Fiqiri Ismaili nga radhët e PD-së. Sipas tij, kryebashkiaku i Vorës duhet të dalë e të kërkojë vota për të, pasi thotë se e ka mik.
“Se ky Fiqo është interesant, del e thotë e kam mik Edi Ramën. Po është e vërtetë, e kam ndihmuar njëherë, por se kishte të drejtë, jo se e kam mik. Nuk e kam mik Fiqon unë. Pse del e kërkon vota për krushkun Fiqo? Ka ardhur momenti të kërkosh votë për Edi Ramën nëse del e thua e kam mik”, tha kryeministri.
Duke vijuar ngacmimin, Rama shtoi: “Kemi detyrimin që liqenet e Vorës të mos na i marrë tepsia, mblidhe mendjen, ta kesh mirë krushkun me shëndet, të keni harmoni familjare”.
Rama, nga Vora sulmoi ashpër dhe partinë me të cilën bashkëqeverisi për 4 vjet me radhë, Lëvizjen Socialiste për Integrim duke e cilësuar një parti që blen vota, madje kërkon edhe fotografi për votën e blerë. Ai u ndal më tej tek procesi i legalizimeve, që sipas tij nën qeverisjen e majtë u përshpejtua shumë, por shtoi faktin se për shkak të përçarjes së administratës çështja ka ngecur tek Hipoteka, që sipas Ramës mbahet peng nga LSI.
“Nuk e di pse i shqetëson fakti që duam të bëjmë shtet dhe një administratë për qytetarët. Duhet të bëjmë legalizime e hipoteka, jo ndarje unë dua patentat e tjetri pastrueset. Kështu nuk bëhet shtet. Unë nuk them se ka faj një parti e caktuar sepse të gjitha kanë qenë të përfshira në këtë histori në këto 25 vite. Unë jam krenar për punën që ka bërë koalicioni dhe nuk e kuptoj pse nuk krenohen dhe ata. Reforma në administratë dhe ajo në arsim janë shtetbërëse. Ne nuk jemi në luftë me asnjeri, thjesht jemi në luftë për shqiptarët”, tha Rama. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





