Transmetuar më 17-06-2017, 13:44

Policia e Shtetit reagon ndaj kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, duke shprehur keqardhje për sulmin e sotëm mbi policinë, lidhur me incidentin e ndodhur në Lezhë.

“Ashtu sikundër e ka komunikuar me transparencë të plotë më parë, Policia e Shtetit përsërit se ka kryer të gjitha veprimet hetimore dhe nuk ka asnjë provë për prapavijën politike të incidentit. Pretendimet e personit të goditur po vazhdojnë të hetohen”, thuhet në deklaratë.

Më tej shtohet se mbetet fakti që në deponimin e tij ai ka folur për persona të panjohur dhe nuk ka raportuar asgjë konkrete që te ngrihet dyshimi i arsyeshëm se incidenti është i motivuar politikisht.

Policia e Shtetit deklaron do të vazhdojë të kryeje me përgjegjshmërinë më të lartë profesionale detyrën e saj kushtetuese e ligjore dhe u bën thirrje të gjitha subjekteve e liderëve politikë të shmangin çdo përfshirje direkte ose indirekte të Policisë së Shtetit në retorikën e tyre elektorale.

Nga Lezha, ku shkoi për të takuar Gjovalin Gjinin, kreu i LSI në fshatin Raboshtë të i cili u dhunua gjatë mbrëmjes së të premtes, Meta deklaroi se, “Populli do armatoset nëse policia nuk i lidh zagarët”.

Ai shtoi më tej, “Mos e detyroni popullin të mblidhet para komisariatit. Nëse populli mblidhet i tregon vendin drejtorit të policisë. Drejtori i policisë është për të mbrojtur qytetarët”. /a.y/noa.al

Në foto, drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd