
Kryeministri Edi Rama thotë se edhe Kamza po i bashkohet trenit të fitores së 25 qershorit. Në një aktivitet elektoral të paradites së sotme në këtë bashki, kreu i qeverisë u ndal te legalizimet, ku deklaroi se në 8 vjet qeverisje, Sali Berisha, Xhelal Mziu, Shaban Memia, bën vetëm 21 mijë legalizime me lekë nën dorë dhe mbi dorë dhe nga këto 85% ishin biznese, lokale, hotele, motele, pishina, magazina, klube.
Ndërkohë deklaroi se në dy vjet e gjysmë u bënë 138 mijë legalizime, dhe nga këto 93% shtëpi shqiptarësh pavarësisht bindjes politike, shtëpi njerëzish të zakonshëm që hodhën në themelet e shtëpisë së tyre, gjakun, djersën dhe lotët e një jete në emigracion apo duke bërë këtu çfarëdolloj pune.
“Partitë e tjera duan ti mbajnë njerëzit sa më shumë të ndarë, në mënyrë që aq më shumë t’i fusin duart në tepsinë e pushtetit. Ne duam ti mbajmë bashkë se para se të jenë të majtë e të djathtë, janë vëllezër e motra, stërnipër të Skënderbeut e Ismail Qemali, të gjithë njëlloj. Përpara se të ngrenë një flamur partie, për ne çdo familje është mbi të majtën dhe të djathtën”, u shpreh Edi Rama.
Ai deklaroi se vetëm qytetarët mund të bëjnë revolucion kuqezi, “Ose të bashkohemi për të bërë një revolucion kuqezi për ta përmbysur sistemin e partive në administratën e shtetit ose pastaj rini në mëshirën e zyrave të partive të pushtetit. Vetëm ju mund ta bëni. Nuk ka parti që e bën këtë në Tiranë nëse shqiptarët nuk i japin fuqinë për të qeverisur duke mbajtur drejt timonin, pa mbajtur të tjerë në prehër që duan të mbajnë një dorë në timon. Na jepni fuqinë të qeverisim vetëm”.
Sipas tij, Shqipëria sot ka nevojë për çdo shqiptar që ka të drejtën të votojë, duke nënvizuar se fëmijët e këtij vendi nuk kanë të drejtë të votojnë, por kanë të drejtë të kërkojnë nga çdo prind të mendojnë se kush është më e mira dhe për ta.
Rama deklaroi se në 25 qershor nuk do vendoset kush do fitoj mes këtyre partive, por kush do jetë fati i flamurit kuqezi, a do çohet lart e më lart, dhe “a do e vendosim këtë flamur aty ku ka vendin në oborrin e Europës së bashkuar, apo do vazhdojmë, ta mbajmë këtë flamur peng të shkopinjve të flamujve, lara lara të partive”.
Kreu i qeverisë tha se më 25 qershor Shqipëria do vendosë përpara me shtet, punë, mirëqenie.
“Zgjedhja është e juaja dhe unë kam shumë besim se Shqipëria do zgjedhë flamurin kuqezi duke votuar nr.2, Partinë Socialiste të Shqipërisë”, deklaroi Kryeministri.
Ai i ftoi demokratët që Berishën dhe Bashën t’i mbajnë në zemër, por në 25 qershor duhet t’i thërrasin mendjes për Shqipërinë që duam dhe jo për më shumë pushtet për Partinë Socialiste. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





