
Nga Kuçova, kryeministri Edi Rama ka deklaruar para elektoratit se, zgjedhjet e 25 qershorit nuk janë një garë mes partive, por një zgjedhje për të ecur përpara si komb dhe për ta çuar këtë shtet në Europë.
Ai ka shprehur besimin se, pavarësisht bindjeve politike zgjedhja më 25 qershor është shumë e qartë. “Vota juaj është votë e gjykimit për çdo skuadër, çfarë kanë bërë, çfarë thonë dhe kush mund ta bëjë më mirë Shqipërinë që duam”, ka thënë Rama.
Edhe pse është shprehur i vetëdijshëm se shumë mbetet ende për t’u bërë, kreu i qeverisë ka nënvizuar se PS e ka dhënë provën e ndryshimit. Rama tha se ashtu siç luftuan dhe fituan për reformën në drejtësi ashtu do luftojnë edhe për rritjen e ekonomisë.
"Ju siguroj se sic luftuam dhe fituam për reformën në drejtësi dhe vettingun që do pastrojë pallatin e drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar që ju kanë marrë shpirtin për çerek shekulli, ashtu do luftojmë për të rritur ekonominë dhe për arsimin. Ata bëjnë të njëjtin premtim, do ulim taksat dhe do çojmë shpenzimet, ndaj Shqipëria nuk ja doli të ishte një shtet i fortë.
Nuk është çështja se sa do ulim taksat dhe do rrisim shpenzimet, çështja është sa do bëjmë shtetin dhe do fuqizojmë ekonominë. Vetëm ne mund ta çojmë ekonominë në 4 vitet e ardhshme mbi 5% dhe vetëm ne mund ta ulim papunësinë nëse bëhemi bashkë. Vota juaj duhet të jetë që ne të jemi të pashantazhueshëm nga partitë e tjera", tha Rama. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





