
Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija, në cilësinë e drejtuesit të Task Forcës, i kërkoi Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj, shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Gazmir Tahiri.
Sipas saj, referuar informacioneve në kundërshtim me pikën 13 të VKM-së Nr.473, datë 1.06.2017, Tahiri ka vënë në dispozicion të një subjekti elektoral mjete, të cilat janë pronë e administratës shtetërore.
Sipas informacionit të provuar me pamje filmike në datën 27 maj nga Porti i Vlorës ka dalë për lundrim një anije, e cila është pronë e kapitanerisë së porteve, në të cilën disa të rinj, simpatizantë të një subjekti politik në praninë e një kandidati për deputet, propagandojnë dhe manifestojnë me simbole partiake.
Zëvendëskryeministrja i kërkon Ministrit Dervishi të marrë masa në mënyrë të menjëhershme si dhe referimin e rastit pranë organeve të Prokurorisë së Përgjithshme. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





