Transmetuar më 16-06-2017, 11:24

Goditet një rrjet prostitucioni në Tiranë ku një grua 50 vjeçe, me anë të mashtrimit joshte vajza të reja duke u ofruar para dhe sende te tjera me vlerë dhe më pas i shfrytëzonte për prostitucion duke i dërguar në hotele të ndryshme në periferi të Tiranës.

Operacioni i koduar “Real”, u kurorëzua në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë të cilit u arrestuan katër persona.

Të prangosurit janë P. J., 62 vjeç, banues në Tiranë, T. Th., 50 vjeçe, banuese në Tiranë, B. D., 52 vjeç, banues në Prishtinë dhe E. P., 27 vjeçe, banuese në Tiranë.

Nga hetimet e kryera prej disa kohësh rezultoi se T. TH., e cila kishte një sallon bukurie në zonën e "Komunës së Parisit" në cilësinë e tutores prej disa kohësh, me anë të mashtrimit dhe duke u ofruar para, shfrytëzonte vajza të reja si prostituta.

Në këtë aktivitet ajo bashkëpunonte me të dashurin e saj, 62-vjeçarin P. J., i cili pasi vihej në dijeni nga shtetasja T.TH., bënte transportin e vajzave në drejtim të klientëve të tyre me makinë drejt zonave të Ndroqit dhe Vaqarrit.

Për një takim me vajzat, klientët paguanin nga 100-200 euro. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy aparate telefonik dhe dy automjete.

Hetimet lidhur me këtë rast janë ende në vijim ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale, “Prostitucioni” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd