Transmetuar më 15-06-2017, 21:43

Vetëm dhjetë ditë ndajnë nga dita e zgjedhjeve kur qytetarët shqiptarë do të votojnë për të zgjedhur qeverinë e re, e cila aspirohet të ridrejtohet nga Edi Rama, pretendohet nga Lulzim Basha dhe synohet nga Petrit Vasili.

Mbrëmja e së enjtes është shënuar me debate dhe akuza të forta, ku Kryeministri Edi Rama kërkoi timonin e qeverisjes pa të tjerë në prehër, duke thënë se ka shumë për të humbur, nëse Partia Socialiste nuk mban, pa të tjerë në prehër, timonin e reformave.

“Ngrijeni flamurin kuqezi të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, të ëndrrave, sakrificave, të lustrave për Shqipërinë europiane, qe ne jemi gati ta çojmë aty ku e ka vendin dhe ku e ëndërruan rilindasit, dëshmorët, patriotet e këtij vendi dhe ku ëndërron çdo shqiptar i ndershëm, në familjen e bashkuar euripiane”, tha Edi Rama.

Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, e akuzoi si Ramën edhe ish-kryetarin e LSI, Ilir Meta si mashtrues.

“Shqipëria i njeh mirë atë dhe aleatin e tij, Ilir Metën. Ata nuk mbajtën asnjë premtim dhe të gjitha i kanë mashtrime. Sa herë e kam ftuar në debat, po pse nuk vjen? Nuk vjen se nuk ka çfarë t’u thotë shqiptarëve se premtoi 300 vende pune, por nuk i arriti”, tha Basha në takimin elektoral të mbrëmjes në Durrës.

Ai shtoi se Rama dhe Meta deri para dy javësh putheshin sepse kishin bërë në plan të bënin zgjedhje pa opozitën, e tani zihen sepse duan pasurinë e vendit.

Sipas Bashës, më 25 qershor, programi i ekonomik i PD do e nxjerrë Shqipërinë nga kriza.

Më i ashpër në gjuhën e tij ishte Presidenti i zgjedhur Ilir Meta, i cili në mitingun elektoral të Lëvizjes Socialiste për Integrim në kryeqytet sulmoi sa Ramën edhe Bashën.

“Sondazhet e rilindjes janë si palmat e rilindjes që u thanë, janë të shtrenjta por të pashpresa”, tha ai, ndërsa shtoi se sa mandate mori LSI në vitin 2013, në 25 qershor do i marrë vetëm në Tiranë.

Ai deklaroi se për fatin e keq të rilindasve më seriozi ka qenë Sali Berisha.

“Kam një mesazh edhe për Lulin, nuk i gënjen dot ti demokratët, as nuk e blen dot shpirtin e tyre. Nuk thua dot se LSI i blen votat me vende pune, ti nuk i ke humbur votat se ke humbur vende pune. Unë i njoh demokratët kam bashkëpunuar me ata dhe jo në errësirë. Berisha është lideri më me karakter i demokratëve”, u shpreh Ilir Meta.

Për Edi Ramën deklaroi se, “Nëse për muaj të tërë nuk pranoi të bënim analizën e koalicionit dhe detyrimeve programore, vërtetë beson në gënjeshtrat e tij se LSI ka qenë problemi në katër vjet? LSI e ka drejtuar Ilir Meta, ndaj unë jam gati të dal që sot në çdo debat publik me të, le të marrë gazetarët e tij”, tha Meta.

Sipas tij, nëse Rama apo Basha mendojnë se kanë program më të mirë, Petrit Vasili, kandidati për Kryeministër i ka ftuar në debat.

Në këtë linjë shtoi se demokracia është debat. “Sa i takon debatit që nuk po ndodh mes Tomit dhe Xherrit, le ta kursejnë, ata janë e njëjta alternativë, e oligarkisë. Shqipëria ka alternativën e LSI-së”, tha Ilir Meta.

Presidenti i zgjedhur i cili po bën fushatë për partinë e drejtuar prej tij deri para një muaji, deklaroi se le të shkarkohen nga administrata punonjësit, pasi tha se 95% e saj ishte e Rilindjes.

Ilir Meta deklaroi se qytetarët duhet të bëhen gati për të dhënë një milionë grushta ndaj oligarkisë dhe kartelit të drogës. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd