


“Sondazhet e rilindjes janë si palmat e rilindjes që u thanë, janë të shtrenjta por të pashpresa”.
Kështu tha ish-kryetari i LSI Ilir Meta, në mitingun e mbrëmjes së sotme në Tiranë, nga ku deklaroi se LSI do të jetë forcë e parë.
Ai deklaroi se sa mandate mori LSI në vitin 2013, në 25 qershor do i marrë vetëm në Tiranë.
“LSI do të jetë forcë e parë sepse ne nuk mund të jemi rrotë më rrotë me Sierra Leonen në të gjithë botën përsa i takon fenomenit të largimit dhe të braktisjes së vendit. Mirë në Sierra Leone ka pasur luftë civile dhe Ebola, po këtu çfarë ka? E kemi edhe në një sëmundje të tmerrshme shfarosëse të vlerave më të mira kombëtare, Ebola jonë quhet Rilindje”, tha Ilir Meta.
Ai deklaroi se për fatin e keq të rilindasve më seriozi ka qenë Sali Berisha.
“Kam një mesazh edhe për Lulin, nuk i gënjen dot ti demokratët, as nuk e blen dot shpirtin e tyre. Nuk thua dot se LSI i blen votat me vende pune, ti nuk i ke humbur votat se ke humbur vende pune. Unë i njoh demokratët kam bashkëpunuar me ata dhe jo në errësirë. Berisha është lideri më me karakter i demokratëve”, u shpreh Ilir Meta.
Sipas tij, problemi në këtë vend është vetëm një, oligarkia.
Duke i’u drejtuar Partisë Socialiste tha se rilindja tentoi të blejë votat e LSI, ndërsa ushtron presione ndaj administratës.
Ai deklaroi se u shokua që Orgesti një maturant fierak, u godit vetëm se kur u pyet tha se do votonte tha për LSI.
Meta shtoi më tej se LSI e ka shpëtuar dy herë Shqipërinë që të binte në një greminë të tmerrshme dhe pa kthim, kur u ndalua Edi Rama të vriste reformën në drejtësi për një drejtësi të pavarur, e cila nuk e tregon forcën me hallexhinjtë por me kriminelët që i promovon Edi Rama, në bashki, Parlement e kudo.
“Ne nuk i kemi më asnjë detyrim, ne i’a dhamë të gjitha mundësitë, ne jemi gati nga Vermoshi në Konispol t’u japim jetë ëndrrave të fëmijëve tanë në këtë vend. Nuk ka gjumë në këto dhjetë ditë për Ilir Metën dhe për çdo shqiptarë të drejtë e patriot. Nuk do të lejojmë të preket asnjë votë e qytetarëve shqiptarë. Ka ardhur momenti të marrim në dorë besimin e gjithë Tiranës dhe gjithë Shqipërisë”, derklaroio Meta.
Ai tha se boll dëgjuan shqiptarët se sa herë ka ndërruar emrin njëri e sa herë tjetrin, duke shprehur bindjen se nga LSI do çohen në parlament të reja dhe të rinj që të diskutojnë për arsimin, hapjen e vendeve të punës dhe se nuk do të çohen biznesmenë në parlament për të blerë votat dhe të kërkojnë koncesione dhe tendera nesër.
“Biznesmenët i kanë në dorë ata, ne kemi rininë”, tha ish-kryetari i LSI.
Ai i’u drejtoi një mesazh gjithë socialistëve kur tha se Ilir Meta është ai që kanë njohur të gjithë që nuk ka gënjyer as fshatarin më të thjeshtë në jetën e tij.
“Nëse Edi Rama që për muaj të tërë nuk pranoi të bënim analizën e koalicionit dhe detyrimeve programore, vërtetë beson në gënjeshtrat e tij se LSI ka qenë problemi në katër vjet. LSI e ka drejtuar Ilir Meta, unë jam gati të dalë që sot në çdo debat publik me të, le të marrë gazetarët e tij”, tha Meta.
Sipas tij, nëse Rama apo Basha mendojnë se kanë program më të mirë, Petrit Vasili, kandidati për Kryeministër i ka ftuar në debat.
Në këtë linjë shtoi se demokracia është debat. “Sa i takon debatit që nuk po ndodh mes Tomit dhe Xherrit, le ta kursejnë, ata janë e njëjta alternativë, e oligarkisë. Shqipëria ka alternativën e LSI-së”, tha Ilir Meta. Presidenti i zgjedhur i cili po bën fushatë për partinë e drejtuar prej tij deri para një muaji, deklaroi se le të shkarkohen nga administrata, pasi tha se 95% e saj ishte e Rilindjes.
Ilir Meta deklaroi se qytetarët duhet të bëhen gati për të dhënë një milionë grushta ndaj oligarkisë dhe kartelit të drogës. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





