
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Gjirokastër, ku po zhvillon një miting në Parkun e Viroit, me banorët e kësaj zone me bukuri e vlera të jashtëzakonshme.
“Jemi të bashkuar më shumë se kurrë më parë për Gjirokastrën që duam dhe për Shqipërinë që duam, me shtet, punë, mirëqenie”, – tha z.Rama.
“Pas rrënimit të pandalshëm të njëzet e kusur viteve, Gjiorkastra jonë po rilind dhe po fiton çdo ditë e më shumë pamjen e merituar të një qendre historike e turistike evropiane”, – evidentoi kreu socialist.
Ai tha se kjo erdhi në sajë të “Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane që me 641 kantiere nga veriu në jug, transformuan hapësirat publike, sheshet, parqet, blloqet e banesave, rrugët dhe qendrat turistike, kulturore e historike, duke hapur 49326 vende të reja pune për shqiptarët; duke rritur numrin e turistëve me 48%; duke shtuar numrin e të punësuarve në sektorin e turizmit me 31782 vende të reja pune dhe duke rritur të ardhurat në ekonominë tonë kombëtare në 1.5 miliardë euro”.
Rama pohoi më pas se ndonëse kanë bërë shumë, më shumë akoma mbetet për të bërë. Po ka edhe shumë për të humbur, – paralajmëroi Rama, nëse Partia Socialiste nuk mban, pa të tjerë në prehër, timonin e reformave”.
“Siç luftuam dhe fituam për Vetingun, do të luftojmë e fitojmë për të rritur ekonominë dhe punësimin si asnjëherë më parë”, – tha më pas Rama.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





