Transmetuar më 15-06-2017, 20:28

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar takimet e fushatës elektorale me qytetarët e zonës së Kënetës në Durrës.

“Plani im ekonomik është se do të sjell punësim dhe mirëqenie për gjithë shqiptarët”, shprehet Basha.

Basha gjatë fjalës së tij ka sulmuar kreun e Kuvendit, Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama duke thënë se ata mendojnë vetëm për veten e tyre dhe se të dy sipas tij, nuk kanë mbajtur asnjë premtim ndaj shqiptarëve.

“Këta të dy, deri para 2 javësh putheshin sepse kishin bërë në plan të bënin zgjedhje pa opozitën, e tani zihen.

Po pse zihen? Zihen sepse duan pasurinë e vendit. 550 milionë euro i kanë futur në xhepa 48 veta, me kryehajdutin Ilir Beqaj dhe shefin e tij Edi Rama. Gjysma e parave nuk shkojnë për shëndetësinë, por vidhen. Para 4 vitesh tha 300 mijë vende pune, po në Durrës sa vende pune janë hapur? Asnjë.

 Në 4 vite, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë qenë në garë se kush vjedh më shumë. Edhe sot janë në garë, sepse nuk janë në garë për ju, por se kush të vjedhë më shumë.

Këto 2 javë të fushatës u kujtuan të thonë të zezat e njëri-tjetrit. Ky është mashtrimi i fundit i tyre”, shprehet Basha.

“E kam ftuar Ramën në përballje direkte por nuk vjen, pasi nuk ka fytyrë t’u dalë shqiptarëve përpara”, shprehet Basha.

Sipas Bashës, më 25 qershor, programi i tij ekonomik do e nxjerrë Shqipërinë nga kriza.

“Ne do të ulim taksat dhe TVSH-në. Kjo do të lërë në xhepat tuaja 400 milionë euro në vit”, ka deklaruar Basha./a.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd