Transmetuar më 14-06-2017, 14:24

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama doli në konferencë për mediat pas takimit të ditës së sotme të një përfaqësie të LSI me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian në Tiranë, atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të OSBE.

Ai tha se qëllimi i takimit ishte për informimin mbi situatën e zgjedhjeve, me zhvillimet elektorale duke u ndalur në disa nga episodet më pikante.

“U ndalëm në vendimin arbitrar të kundërligjshëm të Task-Force që në përpjekje për të trembur votuesit. Ka nisur një fushatë spastrimesh politike nga administrata publike, që e dokumentuam me dhjetëra raste, ç’ka është në fakt një parathënie për të kontaminuar të gjitha parimet kushtetuese të zbatimit të ligjit në funksion të zbatimit të ligjit që e ka shndërruar këtë institucion në një Gestapo politike që përndjek në mënyrë abuzime dhe në kundërshtim me ligjin të gjithë punonjësit e administratës në të gjitha nivelet”, u shpreh Rama.

Ai deklaroi se persona të dalë nga burgu po përdoren si pjesë të stafeve elektorale dhe veçanërisht të Partisë Socialiste.

Rama denoncoi keqpërdorimin politik të strukturave të Policisë së Shtetit.

Po ashtu tha se policia ka lënë jashtë vëmendjes grupet kriminale, njerëz me precedentë penalë të liruar nga burgu kohët e fundit për t’i përdorur ata si pjesë të stafeve politike, veçanërisht të PS-së.

Në vijim deklaroi se i’u treguan ambasadorëve raste konkrete.

“Rastet më skandaloze tashmë janë evidentuar në Berat, në Njësinë Administrative nr 2 në Tiranë, Lezhë. Po kështu kemi informuar diplomatët për grupet kriminale, që janë angazhuar në një sërë qendrash të banuara në qytete të ndryshme, duke ushtruar presione. Një pjesë të mirë të informacioneve na ka ardhur nga punonjësit e Policisë së Shtetit që kanë refuzuar të bëhen pjesë e grupimeve të policisë që përdoren për përndjekjet e kandidatëve apo simpatizantëve të LSI”, deklaroi Luan Rama.

Më tej u ndal edhe te vendimi i fundit i KQZ për numëruesin, ku tha se i takonte LSI për të mos u hedhur në short me një parti tjetër.

Sipas tij, Kodi Zgjedhor e ka të përcaktuar qartë si ndahet shumica parlamentare dhe pakica parlamentare.

Në vijim shtoi se “Kemi të bëjmë me një veprim haptazi kundër ligjit, demonstrim të dy qëndrimeve në kohë të ndryshme”.

Konferenca e plotë e Nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim

Ju kam ftuar në këtë komunikim në funksion të bashkëpunimit shumë të mirë që kemi me të gjitha institucionet mediatike në vend për t’ju informuar që sot një përfaqësi e drejtuesve të LSI-së, me kryetarin Petrit Vasili, unë si nënkryetari i LSI-së, dhe znj. Klajda Gjosha si anëtare e Kryesisë së LSI-së, por edhe Ralf Gjoni dhe Ilirjan Muho kemi zhvilluar një takim me të gjithë ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së të akredituar në Tiranë, por edhe me përfaqësues të ambasadës së SHBA, të BE-së, të OSBE-së dhe me praninë edhe të shefit të misionit monitorues të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 në Shqipëri.

Objekti i këtij takimi ishte informimi i ambasadorëve të nderuar me situatën politike në vend, me zhvillimet elektorale duke u ndalur në mënyrë të veçantë në tre episodet më dominante.

Së pari, duke ju shpjeguar atyre veprimin arbitrar të kundërligjshëm të task-forcës e cila në përpjekje për të trembur, frikësuar dhe për të ushtruar presion mbi qytetarët, mbi votuesit, në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese dhe me ligjin ka nisur në fushatë spastrimesh politike nga Administrata Publike.

Gjë që e dokumentuam me dhjetëra raste, çka në fakt është parathënie e një tentative për të kontaminuar dhe për të deformuar të gjitha parimet kushtetuese dhe zbatimit të ligjit në funksion të fushatës së zgjedhjeve, gjë që në fakt e ka shndërruar këtë institucion pa as më të voglin dyshim në një gestapo politike e cila përndjek në mënyrë abuzive dhe tërësisht në kundërshtim me ligjin punonjësit e administratës publike në të gjitha nivelet.

Një çështje tjetër për të cilën informuan ambasadorët është ajo që ka të bëj me shpërdorimin, apo përdorimin politik dhe me kundërshtim me ligjin të strukturave të policisë së shtetit e cila e fokusuar tek përndjekja politike në mënyrë të veçantë e veprimtarëve, simpatizantëve, e kandidatëve për deputet dhe e anëtarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka lënë jashtë vëmendjen grupe kriminale, njerëz me precedent penal, të mbajtur nën sqetull apo të liruar nga burgu kohët e fundit për t’i përdorur ato si pjesë e stafeve politike, në mënyrë të veçantë të stafeve politike të PS për zgjedhjet e 25 qershorit.

Me raste konkrete të dokumentuar dhe jo vetëm për ato që janë bërë publike siç është rasti skandaloz i sjelljes së strukturave të policisë në Berat, rasti tjetër me administratorin e njësisë 2 i rehatuar si çështje në prokurori për një çështje të hetuar më parë në vitin 2013, rasti i Lezhës apo edhe informacione të detajuar për veprimtari të hapur të grupeve kriminale në një sërë qendrash të banuara në të gjithë territorin e vendit në përpjekje për të motivuar në mënyrë të paligjshme gjithë veprimtarinë e grupeve kriminale dhe për demotivuar zbatimin e ligjit në mënyrë të veçantë të strukturave të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Një pjesë e mirë e këtij informacioni na ka ardhur nga vetë punonjës të Policisë së Shtetit në detyrë, të cilët me vetëdije qytetare dhe profesionale, por dhe me kuraja, kanë refuzuar të bëhen pjesë e këtyre grupimeve të policisë për të përndjekur veprimtarët dhe aktivistët e LSI-së, ashtu si kundër na kanë informuar për raste flagrante ku në mënyrë të qëllimtë, struktura shërbimi apo postblloqe policie janë evituar nga postet e tyre të shërbimit për të krijuar korridore të lira të veprimit të grupeve kriminale apo njerëzve të armatosur që qarkullojnë për të kërcënuar apo terrorizuar qytetarët.

Një çështje tjetër për të cilën informuam dhe ku gjetëm vëmendje të veçantë të të gjithë ambasadorëve të nderuar ishte ajo që ka të bëj me vendimin e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për numëruesin që në zbatim të Kushtetutës, në zbatim në mënyrë të veçantë të Kodit Zgjedhor, por edhe referuar vetë akteve që ka miratuar KQZ, i takonte LSI-së, për të mos u hedhur në short me një parti tjetër pasi vetë KQZ-ja, por mbi KQZ-në, Kodi Zgjedhor e ka të përcaktuar qartë se si ndahet shumica parlamentare dhe pakica parlamentare referuar zgjedhjeve të vitit 2013.

Natyrisht kemi të bëjmë me një vlerësim haptazi në kundërshtim, në shkelje të ligjit, kemi të bëjmë me një demonstrim të dy qëndrimeve në kohë të ndryshme, madje të dy qëndrimeve edhe në kuadër të këtij procesi nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Më konkretisht dua t’ju them, ju të gjithë e mbani mend dhe po jua sjell në vëmendje, fakti se kur diskutohej në Kuvend çështja e përfaqësimit në komisionet e Vetting-ut midis përfaqësuesve të shumicës apo pakicës parlamentare, përfaqësuesit e PS nuk pranuan që të jepej një vend në treshen që i takonte shumicës parlamentare, PDIU-së sepse e konsideronin atë sipas rezultatit të vitit 2013, parti që ka hyrë në Kuvend për shak të votave si opozitë.

Ndërkohë në KQZ tani mbajnë tjetër qëndrim. Natyrisht sjellje të tilla në inkoherencë me ligjin, në inkoherencë me vetë mendimet e KQZ, me inkoherencë edhe me vendimet e Kolegjit Zgjedhor, janë padyshim një dëshmi tjetër e radhës, e pafytyrësisë politike, e hipokrizisë e atyre që flasin dhe premtojnë se duan të bëjnë shtet, por në fakt sillen në kundërshtim me ligjet e shtetit, në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës.

Gjithsesi e gjitha kjo situatë, natyrisht jo vetëm që nuk ka krijon asnjë lloj sugjestioni, por përkundrazi, na motivon më shumë për të qenë më të vendosur në demaskimin e hipokrizisë politike të dyshes së marrëveshjes së natës, të cilët e shfokusuan dhe e tjetërsuan misionin e marrëveshjes politike, nga mision në shërbim të  zgjedhjeve dhe plotësimit të standardeve për të krijuar një garë të ndershme dhe të barabartë, transparente dhe për të realizuar zgjedhje në përputhje me standardet në një fushatë keqpërdorimi, spekulimi, gënjeshtrash dhe mashtrimesh me shpresë se mund t’ia dalin të gënjejnë qytetarët shqiptar.

Paniku, frika, dhe e gjithë pasiguria e tyre reflektohet me këto sjell në kundërshtim me ligjin, me sulme dhe me qëndrime haptazi politike ndaj administratës publike dhe natyrisht edhe me keqpërdorimin e strukturave të posaçme në Policinë e Shtetit.

Pavarësisht kësaj, qytetarët shqiptar tashmë e dinë shumë mirë se ku qëndron e keqja dhe i ftojmë të gjithë ata nesër në orën 19:00 në sheshin “Nënë Tereza” për të demonstruar pikërisht madhështinë, forcën, bukurinë dhe vendosmërinë, jo vetëm të LSI-së, por të gjithë qytetarëve shqiptar për ta ndarë një herë e mirë dhe përfundimisht Shqipërinë e marrë peng nga papërgjegjshmëria politike, Shqipërinë e marrë peng nga oligarkia politike në qeverisje dhe qeverisja nën thundrën e oligarkisë dhe për të marrë fund një herë e mirë Shqipëria e kanabisit dhe të gjithë klientelistës kanabiste që kot shpreson se mund ta arrijë që paratë e krimit dhe të drogës të mund t’i përdorë për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve shqiptar.

Prandaj edhe një herë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që duan Shqipërinë e të nesërmes dhe që nuk duan Shqipërinë e drogës, të krimit, të manipulimit dhe të falsifikimit, Shqipërinë e hipokrizisë, dhe Shqipërisë e errësirës së marrëveshjes së dy individëve që nuk e kanë kuptuar që populli nuk mund të jetë më me ta, ta bashkohet nesër në ora 19:00 në sheshin “Nënë Tereza”. Me LSI-në forcë e parë, me LSI-në të parën në fletën e votimit, me LSI-në të parën në 25 qershor për t’i dhënë Shqipërisë një drejtim të ri, të përgjegjshëm e për ta kthyer përfundimisht atë në rrugën e normalitetit drejt procesit të pakthyeshëm të integrimit evropian. Faleminderit!

Pyetje nga gazetarët

Folët pak më parë për përdorim të strukturave të Policisë së Shtetit në kuadër të fushatës zgjedhore.  Sa i keni të dokumentuara këto raste dhe a ua paraqitët edhe ambasadorëve të BE në Shqipëri? Do t’i bëni publike këto informacione edhe për qytetarët?

Padyshim ne kemi bërë publike një mori të rasteve. Rastin e Beratit, rastin e Tiranës, rastin e Lezhës, ndërkaq përveçse kemi bërë publike, përveç njoftimit që kemi bërë për të nderuarit ambasadorë që dëshiroj t’i falënderoj realisht jo vetëm për gatishmërinë që treguan, sepse janë lajmëruar vetëm dje për këtë takim dhe erdhën, por edhe për seriozitetin dhe gjithë klimën e mirëkuptimit duke na garantuar ne kushte optimale për t’u vënë në dispozicion çdo detaj, çdo fakt, madje duke iu dhënë atyre dhe një hartë të detajuar të hapësirave se ku gjenden dhe ku mund të tentojnë të veprojnë grupet kriminale me ose pa veprimin e policisë. Sepse, dua t’ua bëj të qartë, edhe mosveprimi për të zbatuar ligjin është gjithashtu shkelje e ligjit dhe ne kemi denoncuar në organin e prokurorisë një mori rastesh të cilat natyrisht presin me shumë seriozitet zbatimin e ligjit dhe verdiktin e organeve që ligji ua jep tagrin për të marrë vendim.

Sepse nuk mund të ndodhë, krijoj hapësirën për ta thënë edhe këtë fakt, skandaloze dhe shenja më e mirë e papërgjegjshmërisë politike që një kryetar i një partie në opozitë siç është Lulzim Basha kryetar i një pjese të PD, del e thotë nëpër mitingje, pasi u arrestuan 3 do të arrestohen dhe 300 drejtorë. Kush je ti? Në cilin vend normal demokratik mund të ndodhë të kërcënojë në këtë mënyrë kryetari i një partie politike. Jo 300, por edhe 3000 le të shkojnë përpara ligjit dhe të mbajnë përgjegjësi ligjore, por këtë tagër kushtetues dhe ligjor e ka vetëm organi i prokurorisë dhe gjykata. Ka ikur koha kur partitë pushonin nga puna, emëronin në punë, fusnin në burg apo nxirrnin nga burgu.

Folët për kriminalizim dhe kanalizim të vendit. Një situatë që sipas jush, besoj që është edhe alarmante, a mban LSI përgjegjësi për këtë situatë duke qenë se keni qeverisur një mandat me z. Rama?

Fola mbi një të vërtetë dhe nuk besoj që ka në këtë vend ndonjë shqiptar që nuk e di çfarë ka ndodhur me kanalizimin e vendit dhe me kriminalizimin e vendit, sepse lejimi përmes bashkëveprimit të strukturave të policisë dhe në procedurat e investimit të prokurorisë përmes hetimit të këtyre çështjeve janë tashmë dhjetëra dhe dhjetëra punonjës policie të ndaluar, të arrestuar apo të marrë në përgjegjësi penale, pra nuk është ndonjë gjë që nuk dihet, ashtu si kundër edhe një herë po e theksoj: që nuk është vetëm veprimi i kësaj pjese të policisë, por edhe mosveprimi në zbatim të ligjit i pjesës tjetër, është gjithashtu përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë.

Lëvizja Socialiste për Integrim, dhe këtë jua bëra të qartë edhe ambasadorëve në takim, për sa i përket kanabizimit dhe kriminalizimit të strukturave të shtetit që kanë favorizuar kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike nuk ka asnjë përgjegjësi, jo vetëm sepse ne nuk kemi patur dhe nuk kemi asnjë akses përfaqësimi në ministrinë e Brendshme, por përkundrazi, të paktën në dy vjet e gjysmë, në tre vjet e këtej, në Kuvend, në qeveri, në takimet midis krerëve të PS me drejtues të LSI, ua kemi bërë të qartë, ua kemi thënë, kemi denoncuar dhe kemi kërkuar reagim të institucioneve shtetërore në luftën kundër drogës dhe në mënyrë të veçantë kundër kanabizimit të vendit.

Reagimi ka qenë zero. Nga kryeministri, deri te një mori funksionarësh të tjerë të lartë. E kam thënë dhe po e përsëris edhe një herë që, në Kuvend, dhjetë ditë përpara datës 30 mars të këtij viti, kam folur për luftën kundër trafikimit dhe kanabizimit të vendit, duke bërë përgjegjës të drejtpërdrejtë kryeministrin, i cili nuk ka përmbushur detyrimin ligjor që buron nga ligji për luftën kundër lëndëve narkotike dhe psikotrope, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2001 dhe i përmirësuar në shtator të 2006-s, me propozim të deputetëve të PS, i cili e detyron kryeministrin jo vetëm të mbledhë Komitetin Kombëtar të Luftës Kundër Drogës, por të informojë me shkrim Kuvendin çdo vit, deri më datën 31 mars, për atë çfarë ka bërë shteti, qeveria, në luftën kundër drogës në vitin pararendës.

Nuk është bërë asnjëherë në katër vjet dhe megjithëse ia kam kërkuar zyrtarisht nga salla e Kuvendit në 31 mars të këtij viti, duke i thënë shprehimisht që pres datën 30 mars, të paktën të sillni raportin e 2017-s për 2016-n, që është edhe viti më skandaloz i kanabizimit të vendit, përsëri edhe sot e kësaj dite ai raport nuk ka ardhur në Kuvend.

Komiteti Kombëtar i Luftës Kundër Drogës nuk ka funksionuar ashtu si kundër ligji e thotë në mënyrë laksative, që kryetari i këtij Komiteti është kryeministri, i cili gjithashtu duke mos mbledhur komitetin, duke mos koordinuar bashkëveprimin dhe ndërveprimin e institucioneve përgjegjëse, në fakt nuk ka zbatuar ligjin dhe me mosveprimin e tij është përgjegjës i drejtpërdrejtë me situatën kriminale të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në Shqipëri, ashtu si kundër e theksoj, që është përgjegjësi e drejtpërdrejtë dhe nuk ka asnjë përgjegjësi LSI për doganierë politikë të çuar nëpër pika doganore, që e mbyllin skanerin kur duhet të kalojnë tonelatat e drogës dhe e hapin skanerin kur ua do oreksi i sjelljes kriminale dhe në shpërdorim të detyrës.

Retorika është për akuzat ndaj PD dhe PS. Ndoshta lidhen me një mundësi për bashkëpunim midis PD dhe PS pas zgjedhjeve, është kjo frika e LSI?

E para nuk kam asnjë retorikë të ashpër, nuk kam asnjë akuzë. Po flas vetëm për të vërteta. Dhe, e theksoj, vetëm për të vërteta, të cilat kanë qenë në sytë e publikut dhe përballë publikut, jo tani që është fushatë zgjedhore, por në vijimësi.

Unë jam i gatshëm që për këto të vërteta për të cilat flas, dhe për të gjitha të vërtetat që kam informuar sot bashkë me kolegët e mi, trupin diplomatik, të ballafaqohen me cilindo dhe të dalë cilido përfaqësues, në daç i Rilindjes në daç i aneksit të Rilindjes dhe të thotë që për këtë reformë, që për këtë fenomen negativ, që për këtë proces të rëndësishëm, të jetë bërë pengesë LSI. Përkundrazi!

Kemi votuar në çdo rast të gjitha projektligjet, të gjitha ndryshimet në kode apo kudo tjetër siç i ka kërkuar PS që ka qenë pjesa mazhorancë në qeverisje, dhe ndoshta kemi bërë gabim se duhej të ishim sjellë ndryshe, por, për të mos krijuar asnjëherë precedentë të mosveprimit, nuk ka asnjë drejtues i Partisë Socialiste, qoftë edhe një rast të vetëm, që të thotë që për këtë rast është bërë pengesë LSI, përkundrazi kemi qenë mbështetës dhe shpesh herë promotor të reformave të mëdha, në mënyrë të veçantë të reformave që kanë të bëjnë me shtetin e të drejtës si reforma në drejtësi, apo edhe me gjithçka tjetër që i shërbente dhe i shërben integrimit evropian të vendit.

Kemi qenë mbështetës dhe promotor të reformës në administratën publike, kemi respektuar me rigorozitet ligjin për administratën publike. Të gjithë njerëzit që janë anëtarë të LSI apo veprimtarë të LSI kanë konkuruar sipas procedurave ligjore, kanë fituar për shkak të meritave të tyre dhe CV-ve profesionale, për shkak të integritetit të tyre, në komisionet e departamentit të administratës publike që kanë qenë në mazhorancë të Partisë Socialiste dhe sot na thuhet që kanë qenë pjesëza të tepsisë.

Po mirë more zotëri, qeveria shqiptare, Kuvendi i Shqipërisë, që ka marrë gjithë ato përgëzime për reformën në administratën publike edhe nga BE, është keqinformuar nga ju që nuk i është thënë që kemi ndarë tepsinë, apo sot, kur jua do interesi për spekulim dhe mashtrim politik, flisni për tepsi. Tepsia dhe kusia janë mish-mashi i oligarkisë, ne jemi LSI, jemi LSI që i dalim zot rinisë dhe i dalim zot Shqipërisë ndaj i ftojmë të gjithë nesër në mitingun e madh të demonstrimit të qytetarisë, të angazhimit tonë për LSI-në forcë të parë dhe për një drejtim të ri të Shqipërisë./a.y/noa.al 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd