Transmetuar më 14-06-2017, 12:29

Një grua me 6 fëmijë e cila po përpiqet të arratisej nga kati i 21 i pallatit në Londër që u përfshi nga flakët e mëdha, ka rrëfyer tmerret e mëngjesit të sotëm.

"Nga apartamenti dola me të 6 fëmijët e mi, por kur zbrita poshtë pashë që kisha vetëm 4, dy të tjerët nuk i gjej", tregon ajo teksa lutej që t’ia shpëtonin.

Kulla "Grenfell" në rrugën Latimer është përfshirë e gjitha nga flakët në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërkohë që dëshmitarët raportuan se dështoi alarmi i zjarrit.

Rreth 200 zjarrfikës mbërritën me urgjencë në zonë, ku u përballën me një skenar ferri. “Kam 29 vite pune, thotë drejtuesja e Qendrës së Zjarrfikësve londinezë, Dany Cotton, – por nuk kam parë kurrë zjarr të tillë”.

Zjarri, sipas saj ka nisur nga kati i dytë, por shkaqet nuk dihen ende me saktësi. Mediet vendase, sidoqoftë thonë se shkëndijat që do të ktheheshin në arsyen e fatkeqësisë kanë nisur nga një frigorifer me probleme.

Brenda kullës 27 katëshe besohet të ketë ende shumë banorë të bllokuar në shtëpitë e tyre, ndërsa struktura është në prag shembjeje. Të paktën 50 vetë janë dërguar në spital dhe 6 persona raportohen të vdekur deri tani.

Katastrofa goditi gjatë natës, kur banorët ishin në gjumë. Shumë prej tyre janë zgjuar nga klithmat e të tjerëve, apo nga tymi dhe era e plastikës së djegur. Shumë fëmijë ende nuk gjenden, sipas vullnetarëve në një qendër lokale të komunitetit, ndërsa familjet përpiqen dëshpërimisht të bashkohen me njerëzit e dashur. /b.l/noa.al/ 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd