Transmetuar më 14-06-2017, 11:20

Kryeministri Edi Rama ka vijuar fushatën elektorale me takime me banorë të njësisë 5 në Tiranë, në zonën pranë Pallatit me Shigjeta. Bashkë me Pandeli Majkon, Saimir Tahirin dhe Erion Veliajn ata janë ulur me banorë të tjerë të zonës në një kafe ku kanë shkëmbyer batuta.

Mes të tjerave Rama ka ngacmuar kryesisht Pandeli Majkon me batutat pikante që i kanë bërë të gjithë të qeshin. “Kjo metoda e kafeve një nga një është e Pandit?”, tha fillimisht Rama me humor kur kafet po i çoheshin në tavolinë dalëngadalë.

Mes të tjerash Rama është njohur edhe me një administrator pallati, me nofkën “Sadami”. Ai i ka treguar kryeministrit se është zgjedhur administrator nga asambleja e pallatit dhe se të gjithë i binden dhe nuk i thyejnë urdhrat. Administratori i ka treguar kryeministrit edhe si e ka marrë nofkën “Sadami”.

“Punoja tek RENEA, e merresha me të gjithë rrugeçërit e Tiranës. Unë aty shkoja në operacione, futesha i pari, ndaj ma vunë Sadami”, tha ai.

Ndërsa Rama është shprehur i habitur nga mënyra e funksionimit të njësisë dhe zonës me administratorin “Sadami”, Majko i ka kujtuar se jeton në fshat. Më tej Rama ka vijuar me batutat kryesisht me Majkon.

Pjesë nga biseda

Rama: Pandin e kemi të veçantë. Pandi do i japë teserën e partisë djalit të Zahos, se e ka këtë ky se i jep teserën atyre që janë në rritje”.

Majko: Do vijë e të më pyesë po ku vajti partia lerë se është një punë ashtu dhe ta tregoj më vonë.

Rama: Kemi qenë mirë me gjyshin tënd po vajti e u ngatërrua shumë pas drogën dhe iku, u shkatërrua paria.

Majko i drejtohet administratorit të cilin e quajnë Sadam.

Majko: Tani Sadam kam përshtypjen se rezultati

Sadami: 97% majtas

Majko: Mos ia thuaj majtas se ky (flet për Ramën) do shpjegime çdo të thotë majtas

Rama: Sa majtas … Sadami: Këtu e ke të garantuar 

Majko: Këtu është bursë ore

Rama: Këtu qenka Wall Street i votës

Rama: Po ndonjë demokrat kemi këtu

Sadami: Po ikën ata se do vije ti

Rama: Po pse ikën ata se ne jemi bashkë

Sadami: Ata sa e morën vesh që do vijë Edi Rama ikën

Rama: Po pse se kanë marrë vesh që jemi bashkë ne?

Administratori: Jo po ata duan të jenë më vete

Rama: Duan tepsinë e tyre ata? Aa, s’ka tepsi

Majko: Sadam e shikon ca thotë ka kaluar kufirin e partisë e nuk i dihet ku do të shkojë tani.

Rama: Ky është kuptimi i PS, nuk është përtej të majtës së djathtës është edhe të majtë edhe të djathtë.

Administratori: Ca të djathtë po vijnë nga ne

Rama: Të djathtët nuk duhet të vijnë nga ne duhet të rrinë atje ku janë por të votojnë për ne. Ata të rrinë aty ku janë se punët kush do ia bëjë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd