
Ish kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëkohësisht dhe presidenti i zgjedhur, Ilir Meta është ndalur këtë pasdite në një takim elektoral me banorë të qytetit të Pogradecit. Ai tha se pogradecarët duhet të marrin hakë ndaj të pabesëve që shitën Pogradecin te Partia Demokratike. Sipas Metës, ka qenë vetë Rama ai që e shiti bashkinë e Pogradecit dhe Lezhës te PD-ja.
“Pogradeci ka hak për të marrë ndaj atyre të pabesëve që e shitën Pogradecin. Le ta dëgjojë Edi Rama që betohet për bashkimin e të majtës. Nuk ka turp më të madh për ty që e shite Bashkinë e Pogradecit si atë të Lezhës. Jo vetëm e shitën që të mos i merrte aleati strategjik LSI, që i qëndroi korrekt, por edhe kanë katandisur Pogradecin në një bashki të kategorisë së tretë duke mos investuar dhe penalizuar një popull të tërë këtu. LSI do të jetë forcë e parë për të mos ndërtuar më kulla të shëmtuara, si ajo e Korçës, miliona euro, që ka shëmtuar një qytet të mrekullueshëm”, u shpreh Meta.
Më tej ish kreu i LSI-së kërkoi nga pogradecarët votën e tyre më 25 qershor për të votuar programin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila sipas tij do t’i japë mundësinë vendit të hapë qindra biznese të tjera dhe të zhvillojnë sektorët më jetik të vendit.
Gjatë fjalës së tij, Meta i ka kthyer përgjigje edhe sulmeve të eksponentëve të PS. Ai tha se është Edi Rama ai që ka shkelur premtimet që ka bërë në vitin 2013 kur fitoi zgjedhjet.
“Edi Rama nuk i jepte Panaritit fonde për bujqësinë. 1/5 e fondeve në Kosovë ka marrë bujqësia nga Edi Rama, 1/10 e fondeve të Maqedonisë ka marrë bujqësia nga Edi Rama. Fajin e ka Edi Rama dhe përgjigjen do ta marrësh në 25 qershor. Kemi një arrogancë, papërgjeshmëri totale dhe kemi politikanë të llastuar. Prandaj të gjithë më 25 qershor t’u themi Tomit dhe Xherrit që rinia e Shqipërisë nuk do të ikë nga Shqipëria. Premtimet i ka shkelur vetëm një njeri, Edi Rama. A premtoi ai se nuk do të jepte koncesione si Sali Berisha? E mbyti më keq se Sali Berisha. E shitën Bashkinë e Pogradecit, por edhe e lanë në harresë Pogradecin, ta dënojnë me votë masive plebishitare”, tha Meta.
Më tej teksa e quajtur Ramën një politikan të llastuar, Meta tregon edhe arsyen pse i ka mbetur hatri me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
" I ka mbetur hatri me LSI se është kundër asaj që Durrësi, Pogradeci, Vlora të kthehen në kazanë të mbetjeve më të rrezikshme të Italisë, Evropës. nuk do ta lëmë mafien evropiane të shkatërrojë Pogradecin, Durrësin, Vlorën", tha meta. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





