Transmetuar më 13-06-2017, 18:32

Ilir Meta hoqi çdo dilemë se mund të largohej nga posti i presidentit. Përkundrazi, ai kërcënoi se do ta përdorë fuqinë e tij si kryetar shteti pas 24 korrikut për të mos dekretuar kryeministër dhe ministra që, siç tha ai, dhunojnë votën e lirë.

“Unë po paralajmëroj cilindo që mendon se mund të vërë dorë, siç po punohet, mbi votën e lirë se nuk do të ketë dekret as për ministër as për kryeministër. Dekretet do të vijnë nga një proces i rregullt zgjedhor. Kush nuk e kupton këtë do ta kuptojë së shpejti”, ka thënë Meta.

Procesin e drejtë, ka theksuar ai, e vendosin qytetarët, të cilët sipas tij, me votën e tyre do të largojnë oligarkinë, “që kërkon ta kthejë Shqipërinë në depon e plehrave të Europës dhe drogës”.

Pas deklaratave të forta të presidentit të ri, Ilir Meta, kundër socialistëve, vjen edhe reagimi i parë nga selia rozë. Kështu me anë të një postimi në rrjetin e tij social Facebook, deputeti Taulant Balla iu është kundërpërgjigjur akuzave që bëri Meta ditën e sotme se nuk do t’i dekretojë qeverinë e pas 25 qershorit nëse preket qoftë edhe një votë e shqiptarëve. Balla i ka kujtuar Metës se u zgjodh Presidnet me votat e PS dhe i sugjeron të mos bëjë kërcënime si Gruevski.

Postimi i plotë i Ballës

Ilir, të kemi dhënë votën për t’u bërë president! Por edhe kjo që po bën si President i zgjedhur nuk shkon, sepse po teprohet. Je president i zgjedhur edhe me votat tona, ose na kthe votën dhe bëj çfarë të duash me ish-partinë apo partinë tënde! Jo vetëm s’mund të kërcënosh askënd, dhe ne socialistët jo e jo, po s’mundet as të na fusësh në një luftë politike demode për interesat e LSI. Ne të bëmë kryetar shteti, me besimin për të qenë figura mbi palët që i duhet vendit, jo për të të pasur si figurë përçarëse. Partia Socialiste është në të drejtën e saj legjitime të kërkojë votën, për t’i dhënë fund parcelizimit të administratës shtetërore nga partitë.

Nëse LSI nuk bashkohet dot me ne për këtë qëllim të madh në rrugën për të bërë shtet, kjo është puna e saj. Ne s’jemi LSI, por jemi forca më e madhe politike shqiptare dhe detyra jonë është të bëjmë shtet. Duan apo s’duan partitë e vogla. Por shantazhet alla Gruevski janë jo vetëm antidemokratike, por edhe të papranueshme për një President të zgjedhur të Shqipërisë. Ashtu siç janë të papranueshme edhe sharjet e akuzat lumë për Edi Ramën dhe për marrëveshjen që ai bëri me Lulzim Bashën në interes të Shqipërisë, të cilën edhe Presidenti i zgjedhur e përshëndeti.

Po përveç se të papranueshme, për ju si President i zgjedhur edhe me votën e Edi Ramës, janë edhe qesharake për Ilir Metën! Sepse vetëm Ilir Metës, edhe si mik i Saliut, s’i takon të flasë për errësira dhe për transparencë. Boll më, se u trash fare kjo punë me çorodinë tuaj; dhe na lini ne të bëjmë fushatën tonë, edhe LSI fushaten e vet. Ne s’kemi asnjë dëshirë të merremi me ish-partinë apo partinë tuaj. Nuk kemi asnjë interes dhe dëshirë të hyjmë në këtë duel absurd, ku doni të na fusni me zor. Ne e kemi të qartë drejtimin tonë. Duam të flasim me popullin për drejtësinë, ekonominë, punësimin dhe gjithçka u intereson njerëzve. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd