Transmetuar më 13-06-2017, 15:43

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhulieta Kërtusha ka firmosur shkresat për kallëzim penal ndaj drejtuesve të disa institucioneve në rrethe, të cilët kanë marrë pjesë në fushatën elektorale gjatë orarit të punës. Me anë të një njoftimi bëhet me dije se në Prokurorinë Tiranë është kallëzuar Marisa Kaçori, me funksion Drejtor në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Tiranë.

Po kështu më anë të një shkrese të posaçme është informuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan mbi përfshirjen në fushatë të z. Ervis Xhelo me funksion Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, Elbasan.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kukës është informuar mbi përfshirjen në fushatë të z. Gent Halili, me funksion Drejtor në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Kukës.

Gjithashtu, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë është informuar mbi përfshirjen në fushatë të znj. Luiza Qipo, me funksion Përgjegjëse e Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore, Ersekë.

Për të katra rastet e lartpërmendura, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka vënë në dispozicion të prokurorisë provat e depozituara që vërtetojnë pjesëmarrjen aktive në fushatën zgjedhore.

Në shkresat e dërguara prokurorive të rrethit Tiranë, Korçë, Elbasan dhe Kukës, “është nënvizuar pozicioni drejtues i personave të lartpërmendur, për të cilët krijohet dyshimi i arsyeshëm për keqpërdorimin e burimeve njerëzore si dhe të ndikimit të drejtpërdrejtë apo indirekt tek banorët e këtyre qyteteve që përfitojnë shërbime nga këto institucione apo punonjësve të administratës, duke tjetërsuar vullnetin e votës së lirë në favor të një subjekti të caktuar elektoral”.

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, kërkon nga organi i prokurorisë që të kryejë veprimet e nevojshme për hetimin e këtyre rasteve. Ndërkohë MMRS shpreh bindjen e plotë se organi i prokurorisë do të veprojë e shpejtësi dhe profesionalizëm në trajtimin e këtyre rasteve duke kontribuar në ruajtjen e standardeve më të larta zgjedhore.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd