Transmetuar më 12-06-2017, 21:36

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka dalë tërësisht nga dukja e zakonshme dhe e shfaqjes në media, për të realizuar një spot elektoral të veçantë, ndryshe nga të tjerët. Në videon e shpërndarë pikërisht në ditën e lindjes së liderit demokrat, Basha duket duke folur me video “selfie” shoqëruar në disa çaste nga ndjekës të tjerë të asaj që e quan Republika e Re.

Dedikuar rinisë, në formë dhe përmbajtje. Ky është video-mesazhi më i ri i kryedemokratit Lulzim Basha. Për 32 sekonda, Basha jep mesazhin e tij duke mbajtur një celular në dorë ku regjistron pamjet.

“Dua të ndaj diçka me ju. Kam studiuar drejtësi në Holandë dhe kam punuar për hetimin e krimeve të luftës në Tribunalin e Krimeve të Hagë, si dhe për organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sot shumë të rinj po largohen pa asnjë shpresë për t’u kthyer sepse në Shqipëri nuk ka punë për ta. Ne duhet të ulim taksat, të tërheqim investimet, të zhvillojmë industrinë dhe t’i japim rinisë mundësinë  e parë të punësimit përmes stazheve të paguara. Në Europë e kanë parë si funksionon një ekonomi e fortë. Në Shqipëri i kemi të gjitha mundësitë që t’ia dalim”, thotë Basha.

Nga ana tjetër edhe kryeministri Edi Rama ka publikuar spotin e tij elektoral ku ka renditur ato që ka arritur të bëjë qeveria e tij në këto 44 muaj, ndërsa siguron se me pasionin atdhetar dhe kokëfortësinë shqiptare, që luftuam e fituam për vettingun do të luftojmë dhe fitojmë për rritjen si asnjëherë më parë të ekonomisë dhe punësimit.

“Asnjëherë nuk kam pasur iluzionin se në vetëm 44 muaj do të mund të bënim gjithçka që për çerek shekulli u rrënua apo harrua. E di fort mirë se shumë më shumë mbetet për t’u bërë për Shqipërinë që duam. Besoj fort se çdo shqiptar i ndershëm mund t’a thotë sot me plot gojën që ne, socialistët jemi përpjekur më shumë se askush më parë duke e udhëhequr këtë vend në kthesën e duhur.

Po bëjmë shtet në rrugë, financa, energji. Po ndërtojmë shkolla dhe spitale, rritëm si kurrë më parë rrogat dhe pensionet. Çka kemi bërë mjafton vetëm për të pyetur: Kush do e bëjë Shqipërinë që duam? S’ju premtoj mrekullia, po ju siguroj se me vizionin evropian, pasionin atdhetar dhe kokëfortësinë shqiptare, që luftuam e fituam për vettingun do të luftojmë dhe fitojmë për rritjen si asnjëherë më parë të ekonomisë dhe punësimit”, shprehet Rama.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd