Transmetuar më 12-06-2017, 17:48

Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar pak ditë pasi Unioni i Gjyqtarëve ka ankimuar në Kushtetuese ligjin e vetingut. Përmes një deklarate për mediat ambasada amerikane në vendin tonë mbështet deklaratat në mbështetje të reformës në drejtësi nga udhëheqësit e tri partive politike më të mëdha në vend.

“Ambasada e SHBA mbështet deklaratat në mbështetje të reformës në drejtësi nga udhëheqësit e tri partive politike më të mëdha në vend. Ata kanë të drejtë kur thonë se reforma në drejtësi do të ecë përpara, por populli shqiptar duhet të shqetësohet nga përpjekjet për të dobësuar reformën, për të mbrojtur gjykatës dhe prokurorë të korruptuar, përfshirë ata që kanë lidhje me krimin e organizuar”, thuhet në njoftim.

Më tej në deklaratë sqarohet se elementët kryesorë anti-korrupsion të reformës, përfshirë SPAK-un dhe BKH-në, varen nga gjykatës dhe prokurorë të ndershëm, prandaj ajo nxit shqyrtimin e ankesave në mënyrë të hapur dhe transparente.

“Vetingu duhet të jetë i fortë dhe kuptimplotë, sepse elementët kryesorë anti-korrupsion të reformës, përfshirë SPAK-un dhe BKH-në, varen nga gjykatës dhe prokurorë të ndershëm. Ne nxisim Gjykatën Kushtetuese që të shqyrtojë ankesat në mënyrë të hapur dhe transparente, duke u mbështetur në rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ne përgëzojmë qytetarët shqiptarë, shoqërinë civile dhe median e pavarur, që vazhdojnë të jenë syhapur që njerëzit e korruptuar të mos ua vjedhin demokracinë e tyre”, përfundon deklarata e ambasadës. /b.l/noa.al/  

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd