
Qarku i Dibrës ishte stacioni i radhës i policisë për të monitoruar nga ajri parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike.
Gjatë ditës së sotme u monitorua nga ajri territori i njësive administrative: Tomin, Kastriot, Fushë-Çidhën, Sllovë, Kala e Dodës, Reç, Zall- Dardhë, Lurë, Arras, Muhurr, Selisht, Luzni. (Bashkia Dibër).
Lugina e Fush-Bulqizës, e Zerqanit dhe e Shupenzës. (Bashkia Bulqizë). Njësia Administrative Ulëz, Baz, dhe Komsi (Bashkia Mat).
Për rreth 90 minuta helikopteri i policisë ka përshkruar të gjithë zonën ku të paktën nga ajri nuk evidentua asnjë parcelë e mbjellë. Drejtori për hetimin e krimeve në policisë Josif Shtëmbari thotë se monitorimi ka nisur që prej një muaji, ndërsa janë të pakta vendet ku ka rezultuar këtë vit kultivimi i kësaj bime.
“Strukturat e policisë janë shumë të angazhuara dhe shumë të mbingarkuara me detyra jo vetëm sigurimin e rendit për fushatën zgjedhore, por detyrë prioritare përveç fushatës zgjedhore është edhe kontrolli i territorit për kultivimin e bimëve narkotike”, u shpreh Shtëmbari.
Krahas monitorimit nga ajri, vijon kontrolli i imtësishëm i territorit nga toka me grupe pune të përbashkëta me përfaqësues të pushtetit vendor e inspektoriatit pyjor. Operacioni i monitorim -kontrollit të territorit për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike do vijojë edhe në ditët në vazhdim nga ajri dhe toka. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





