
Në kuadër të hetimeve për vrasjen e komisarit Artan Cuku, policia ka shpallur në kërkim dy vëllezër. Ata janë Bujar dhe Florjan Daka nga Shkodra, ndërsa vëllai i tyre Agim Daka u vra pak vite më parë në zyrën e të ndjerit Artan Cuku, me armën e këtij të fundit. Të dy akuzohen se janë porositës të vrasjes, që ndodhi pak muaj më parë në rrugën e “Kosovarëve”.
Për të rënë në gjurmët e tyre, policia shkoi në banesën e vëllezërve Daka, por nuk i gjeti në shtëpi. Për t’iu kthyer ngjarjes së vitit 2005, ku Agim Daka u vra në zyrën e Cukut, familjarët e Agimit deklaruan më herët se i kishin mbyllur punët me komisarin, dhe nuk kishin dijeni për vrasjen e tij.
Artan Cuku ishte marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e ndodhur në zyrën e tij me 25-vjeçarin nga Shkodra. Shefi i Krimeve të Komisariatit nr.4 në atë kohë, ka thënë se viktima qëndroi vetëm 5 minuta në zyrën e tij.
Cuku ka shpjeguar se as vetë nuk e kishte kuptuar se si i ndaluari kishte marrë armën e tij dhe kishte qëlluar veten në kokë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Po ashtu, Cuku ka shpjeguar se i ndaluari ia mori armën në një moment kur ai kishte hequr xhaketën në zyrë, por të afërmit e 25-vjeçarit akuzuan se Agim Daka ishte dhunuar fizikisht e psikologjikisht për të treguar informacione në lidhje me vendndodhjen e vëllait të tij.
Ndërkohë, një ditë më parë, policia tha se kishte arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së Artan Cukut, Mikel Shallarin. Ky i fundit ka pranuar të bashkëpunojë me policinë, por ka kërkuar mbrojtje për familjen e tij. /k.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





