
Kryetari i Partisë Demokratike tha sot, në takimin elektoral që pati në Fier, se Kryeministri Rama ka mashtruar me broshurat elektorale për punësim.
Basha nxori një broshurë të shpërndarë sipas tij nga Partia Socialiste, ku në faqe të parë janë tre persona që supozohet se janë të punësuar nga programi i ‘Rilindjes’.
Kreu demokrat kritikoi Ramën kur tha se personazhet nuk janë shqiptarë, por personazhe të marrë nga interneti.
“Këta të tre nuk janë as shqiptarë, janë tre të huaj. Quhet shuter stock. Edhe personat që kanë vënë në broshurë janë “manekinë”. Nuk gjeti as 3 veta që i ka punësuar ky, t’i vendosë në broshurë. Tre shqiptarë që kanë gjetur vend pune nuk gjeti. I mori në internet. I ka blerë, 1 dollarë copa. 3 manekinë, ja ku është punësimi i Edi Ramës. Kjo është fasada. Kjo është Republika e Fasadës”, tha Lulzim Basha.
Kryeopozitari vijoi më tej duke shënjestruar dy aleatët e qeverisjes 4-vjeçare, Rama e Meta kur tha se ata flasin vetëm për timon e frena, por jo për hallet e qytetarëve.
“Me timon, pa timon, më duhet në prehër, s’më duhet në prehër, timoni, marshi, por asnjëri s’flet për hallet tuaja”, tha Basha para elektoratit fierak.
Kryetari i demokratëve, kërkoi rrëzimin me votë të asaj që e quan “Republika e Vjetër”. /k.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





