
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka replikuar flakë për flakë me Kryeministrin Edi Rama, për të cilin tha sot pasdite se nëse do ta kishte i vetëm qeverinë në këto katër vite, do ta kishte hedhur vendin në greminë.
Në një deklaratë të shkurtër, shpërndarë për mediat, z.Vasili thotë se Rama e pati vetëm të gjithë policinë, dhe e mbushi vendin me drogë.
“Rama i do gjërat që t’i ketë vetëm. E pati policinë të gjithën vetëm dhe e përmbyti Shqipërinë me drogë. Po ta kishte vetëm të gjithë qeverinë, do ta hidhte Shqipërinë në greminë”, thuhet në deklaratë.
Më herët, gjatë komunikimit të përjavshëm javor, Edi Rama tha se nuk do të rrinte në karrigen e Kryeministrit, nëse qeveria do të ndahej me parti tjetër. “Më lejoni t’jua them sinqerisht dhe fare troç. Nuk kam më asnjë motiv të rri në karrigen e Kryeministrit si deri më sot, duke pranuar që administrata e pushtetit të vazhdojë rrijë peng i një partie, duke pranuar që për të marrë votat për një reformë për të bërë shtet, të pranojmë shantazhet dhe listat e kërkesat e partive të koalicionit për të lëshuar drejtorinë në këmbim të votës dhe deri në vende pastruesesh në institucione, për votën për një reformë”, u shpreh Rama në komunikimin javor.
Kohët e fundit, dhe sidomos në këtë fushatë, PS dhe LSI i kanë shpallur “luftë” të hapur njëra-tjetrës, edhe pse në këto katër vite kanë qenë bashkë në qeverisjen e e vendit. /k.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





