
Në takimin elektoral të pasdites, në Mallakastër, kryetari i Partisë Socialiste tha se mandati i dytë qeverisës është më i vështirë se pjesa e parë, pasi do të vendoset për Shqipërinë europiane. Edi Rama tha se ndryshimi në mandatin e radhës nuk do të jetë vetëm për katër vite, por për gjeneratën e ardhshme.
“Shtëpia e shtetit tonë modern dhe europian, e shtetit që i trajton qytetarët të barabartë, dhe që imponon detyrimet për secilin sipas asaj që i takon, kërkon ende shumë punë më të madhe. Pjesa e dytë që kemi përpara është më e vështirë se pjesa e parë, sepse është pjesa që do të ndajë përfundimisht për gjeneraten tjetër, nëse do të bëhet një shtet që u shërben të gjithëve apo do të kthehet edhe njëherë pas. Unë besoj shumë fort se në 25 qershor, merret një vendim shumë më i rëndësishëm se kush do qeverisë. Besoj që gara elektorale e 25 qershorit nuk është një garë mes partish të ndryshme, por një garë për Shqipërinë që duam, me shtet, punë dhe mirëqenie”, tha Rama.
Kreu i qeverisë kërkoi nga qytetarëve që me votë të vendosin fitoren e flamurit kombëtar, dhe jo hijet e flamujve të partive politike, që e përdorin votën e qytetarëve për të përfituar në kurriz të tyre.
“25 qershori është një udhëkryq për të vendosur nëse Flamurin kuq e zi do ta ngremë më lart dhe ta çojmë më shpejt në Europë, apo nëse do humbasin vite të tjera nën hijen e flamujve të lloj lloj partive që votën e përdorin vetëm për të rrëmbyer pjesën e tyre nga pushteti që e shohin si tepsi. Kemi bërë shumë reforma, koalicioni ynë ka bërë shumë reforma, por sot është momenti për t’ju kërkuar hapur, troç, një votë që do të garantojë përgjegjësi të plotë për PS-në. Partitë, me votat që marrin nga njerëzit, nxjerrin përfitime në kurriz të njerëzve”, deklaroi Kryeministri.
Duke folur për premtimet, Rama tha se rritja ekonomike në katër vitet e ardhshme do të jetë 5 përqind, papunësi në nivelin më pak se 10 përqind dhe rritje të pagave e pensioneve. /k.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





