Transmetuar më 11-06-2017, 13:56

Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim me banorët e qytetit të Lezhës, ku u prezantuan edhe kandidatët për deputet për zgjedhjet e 25 qershorit.

Zëvendëskryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, deklaroi se Lëvizja Socialiste për Integrim do të dalë forcë e parë në zgjedhjet parlamentare pasi është e vetmja forcë politike që i ofron një shans të gjithëve.

“Ne sot kemi një mision, me votën tonë duke i dhënë LSI-së forcë e parë, drejtimin e qeverisë, sepse me drejtimin e ri ne do të kemi shansin për të qenë evropian të vërtet. Do të kemi shanse për të qenë të lirë në vendin tonë. Ne e kemi një shans në datën 25 qershor për të rikthyer fuqinë, për të rikthyer punën, për t’i rikthyer identitetin dhe integritetin që i takon Lezhës duke votuar numrin 1”, u shpreh Kryemadhi.

Ajo shtoi se LSI është e vetmja parti që do të qeverisë me përulësi duke i thënë fund tiranisë dhe oligarkisë që u tentua të vendosej në Shqipërisë.

“Kjo është një tirani që oligarkia ka kërkuar ta vendos në Lezhë dhe në të gjithë Shqipërinë. LSI është e vetmja forcë politike e cila me drejtimin e saj të ri do të jetë një parti që do të qeverisi me përulësi, me dashuri, me respekt për të gjithë qytetarët, fshatarët, katundarët, malësorët kudo ku janë në Shqipëri”, deklaroi zëvendëskryetarja e LSI-së.

Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputet të LSI, Viktor Tushaj u shpreh në takimin e pasdites së djeshme se LSI me programin e saj garanton një të ardhme të sigurt për të rinjtë në vendin e tyre duke u ofruar platformë konkrete për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd