Transmetuar më 10-06-2017, 09:03

Kryeministri i vendit Edi Rama e ka nisur ditën e sotme duke uruar “mirëmëngjesi” me pamjet e sheshit Skenderbej qe inaugurohet sot. Me anë të një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ai falënderon gjithë arkitektët, duke i kushtuar vëmendje padyshim kryebashkiakut Veliaj, për të cilin shkruan se “diferencën e bëri edhe njëherë, Lali Eri, kryetari fenomenal i Tironës që duam”.

Rama uron që Tirana ti japë mandat të fortë në 25 qershor “për të bërë në katër vjetët e ardhshëm, së bashku me Lali Erin dhe ekipin e tij të shkëlqyer, katërfishin e punëve që kemi bërë në këta dy vjet të rizgjimit të fuqishëm të kryeqytetit tonë”. 

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këto pamje nga xhevahiri më i madh i kurorës së Rilindjes Urbane, Sheshi Skënderbej, që do të rrezatojë nga sot e për shumë mote të tjera, dritën e pasionit dhe forcën e ambicies sonë për Shqipërinë që duam. Një rilindje e vështirë, plot 10 vjet nga dita kur nisi rrugëtimin projekti më ambicioz urban i Shqipërisë demokratike, mes pengesash, bllokimesh, shkatërrimesh e arnimesh dëshpëruese, por një rilindje e denjë për kryeqytetin e shqiptarëve të shekullit XXI.

Mezi pres të shkel sonte qilimin fantastik të thurur me gurë nga të gjitha trevat ku jetojnë prej shekujsh shqiptarët dhe të shijoj realizimin e një ëndrre që për shumë kohë ngjante e dënuar me vdekje. Një faleminderit me mirënjohje të thellë, arkitektëve të jashtëzakonshëm, inxhinierëve të ndërtimit e të mjedisit, botanistëve, sipërmarrësit, punëtorëve, supervizorëve, e padiskutim, ekipit të dikurshëm që e nisi këtë aventurë fantastike dhe ekipit të sotëm të Bashkisë së Re të Tiranës, ku padyshim diferencën e bëri edhe njëherë, Lali Eri, kryetari fenomenal i Tironës që duam.

Uroj megjithë zemër që në 25 qershor Tirana të na japë një mandat të fortë, për të bërë në katër vjetët e ardhshëm, së bashku me Lali Erin dhe ekipin e tij të shkëlqyer, katërfishin e punëve që kemi bërë në këta dy vjet të rizgjimit të fuqishëm të kryeqytetit tonë”, shkruan Rama. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd