Transmetuar më 09-06-2017, 14:25

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Luan Rama, doli në krahë të kryetarit të njësisë administrative nr.2 Elez Gjoza, për të bërë publik denoncimin në Prokurori për kallëzim të rremë dhe shpërdorim detyre, lidhur me hetimin e nisur ndaj administratorit.

Rama e cilësoi veprimin e policisë në kundërshtim me kodin e procedurës penale, lidhur me një çështje ku siç tha ai janë përpjekur të përfshijnë Elez Gjozën, i cili u akuzua se ka regjistruar aktivisht rreth 70 qytetarë si banorë të njësisë ku drejton, me synim për të blerë vota.

Elez Gjoza në konfrencën për median ditën e sotme, i cilësoi si akuza të pavërteta ndaj tij.

"Akuza për regjistrime fiktive nuk është e vërtetë. Edhe akuza e dytë po ashtu, për punë në këmbim të votës. Unë nuk kam tagrin ligjor për punësime në këmbim të votës. Edhe sekretaren e emëron kryetari i bashkisë. Edhe akuza e tretë për pjesëmarrje në fushatë është qesharake. Unë nuk bëj fushatë deri në orën 4 (16.00) se jam në shërbim të qytetarëve, por pas kësaj orë do bëj fushatë”, u shpreh Gjoza.

Më tej ai sulmoi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, për të cilin tha se “Ministri i hashashit t’i lërë presionet ndaj meje. Nuk më tremb dot”.

Ai shtoi gjithashtu se Tahiri mbolli hashash edhe në oborrin e shtëpisë së tij, ndërsa tha se i tremben rritjes së LSI prej nga ai vjen.

Nga ana e tij Luan Rama deklaron se karteli i drogës vazhdon të ketë nën kontroll drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çakon.

“Ftoj ministrin e Brendshëm të vërë në shinat e zbatimit të ligjit veprimtarinë e drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit sepse nuk mund të merret peng për të kanabizuar zgjedhjet. Nëse nuk e bën dot të japë dorëheqjen. Gjithashtu ftoj zv. Kryeministrin në cilësinë e kryetares së task forcës të analizojë në përgjithësi rolin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit i cili nuk mund të fshihet nën petkun politik”, tha Rama.

Elez Gjoza, kryetari i njësisë bashkiake nr.2 në Tiranë, u vu nën akuzë ditën e sotme për regjistrim fiktiv të zgjedhësve. Ndaj kryetarit të njësisë administrative, i’u referuan materialet Prokurorisë së Tiranës.

Nga informacionet e marra në rrugë operative, policia tha se 58- vjeçari Gjoza dyshohet se nga viti 2013 e në vijim, ka regjistruar fiktivisht rreth 60-70 shtetas shqiptar, të cilët janë regjistruar me të njëjtin kod banimi në banesën në pronësi të tij.

Nga hetimet e kryera, dyshohet se transferimi i gjendjeve civile të këtyre shtetasve dhe regjistrimi i tyre pranë njësisë bashkiake nr 2, është kryer me qëllimin ndikimin në zgjedhjet e përgjithshme që do të zhvillohen në 25 qershor.

Gjithashtu Gjoza i cili vjen nga radhët e LSI, akuzohet se u ka premtuar personave që ka regjistruar, vende pune në këmbim të votës. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd