
Nga Erseka, në vijim të turit elektoral, Kryeministri Rama tha se rruga për të bërë shtet funksional kalon nga 25 qershori. Rama tha se copëtimi i administratës nga partitë duhet të marrë fund me votën e qytetarëve, duke kërkuar që Partia Socialiste të marrë e vetme 71 mandate.
“Në Tiranë e përdorin atë votë për të imponuar shtetin, qeverinë, që të pranojë ta ndajë administratën e shtetit si ndahet një tepsi. Duan secili pjesën e tyre. Ju jeni dëshmitarë se është krijuar një sistem i partive që hyjnë nëpër zyrat e shtetit, një merr drejtoritë, një hipotekën, licencat etj, dhe qytetarët janë viktima të sjelljeve jo dinjitoze të kërkesave abuzive, të poshtërimit kur shkojnë për të marrë shërbime. S’kemi për të pasur kurrë një shtet serioz, dhe kurrë shërbime dinjitoze nëse nuk ua heqim partive këtë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë ironizoi Lulzim Bashën duke thënë se ai dhe PD nuk janë ende gati për të marrë në drejtim shtetin. Ndërsa votën për partitë e tjera, Rama e quajti të hedhur kot.
"Kush janë skuadrat që mund të zgjidhni? Skuadra jonë, që në 44 muaj ka bërë shumë, por kemi ende shumë për të bërë, por mjafton për të thënë se jemi të vetmit që mund të bëjmë shtet. Si ka mundësi, që demokratët të votojnë për Lulzim Bashën Kryeministër, dhe për skuadrën e tij, për Bashës që deri para dy javëve bënte thirrje për t’i qëlluar me grusht kush i dilte përpara, dhe tani thotë jam Kryeministër i Shqipërisë. Basha dhe PD nuk mund të marrin drejtimin e vendit sepse nuk kanë lidhje me nevojat e vendit dhe vendosmërinë për ta bërë këtë vend shtet. Të tjerët mos i llogarisni, vota për të tjerët është për t’u dhënë mundësi për të futur duart në xhepat tuaj, forca që për 27 vjet kanë krijuar sistemin kanceroz në administratë”, tha Rama përpara qytetarëve të Ersekës.
Mes batutash, kryesocialisti u tha demokratëve që partinë e tyre ta mbajnë në zemër, dhe me mendje të votojnë PS-në. /k.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





