
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim elektoral pasditen e sotme me banorë të Delvinës. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama kërkoi që shqiptarët të jenë të bashkuar me votën e tyre e të mos ushqejnë parti që duan pushtet dhe jo shtet. Ai kërkoi që timonin e qeverisë ta kenë të vetëm, pa mbajtur të tjerë në prehër duke premtuar se në katër vitet e ardhshme do bëjnë shumëfish më shumë nga sa është bërë.
“Mendoheni shumë mirë kur të jepni votën, mendojeni nëse do na jepni timonin e qeverisjes pa na detyruar të ulim të tjerë në prehër dhe unë ju them se katër vitet e ardhshme do bëjmë shumëfishin e atyre që janë bërë. Nuk është se dua pushtet për vete, sepse po të ishte kështu e kishim gati duke e lënë Bashën në çadër dhe prisnim 18 qershorin duke e marrë pushtetin vetëm për vete”, tha Rama.
Më tej ai deklaroi se zgjedhjet në këto 27 vite i kanë ndarë shqiptarët në tanët dhe të atyre, ku sipas tij shqiptarët e shikojnë njeri tjetrin si armiq.
“Kërkojmë votën për ti dhënë një mundësi historike Shqipërisë dhe popullit shqiptar pas këtyre 27 viteve që të jeni bashkë dhe për ta parë të ardhmen ndryshe. Kemi bërë një marrëveshje me PD dhe jo për të shpëtuar Lulin, por për ti dhënë Shqipërisë mundësi të ngrihet lart në sytë e gjithë botës dhe bashkërisht ta ulim në tryezën e negociatave për anëtarësimin në BE”, shtoi Rama.
Për kryeministrin Edi Rama, sjellja e partive në koalicione për qeverisjen e vendit, që kërkojnë “një pjesë në tepsi”, është “kancer”.
“Kërkesa për të pasur përgjegjësinë të vetëm në drejtimin e timonit nuk është një kërkesë për vete, por për ta shpëtuar vendin nga kanceri që ka pushtuar administratën shtetërore sepse me votën e popullit partitë e vogla bëjnë copë administratën. Në gjithë planetin koalicionet bëhen në bazë programi, ndërsa në Shqipëri në bazë të drejtorive: sa drejtori marr unë, sa agjenci marrë unë, sa gjoba do vë unë, sa gjoba do vësh ti. Kjo është skandaloze, është kancer”, tha Rama.
Kryeministri ka ironizuar kreun e PD-së, Lulzim Bashën duke iu referuar kwtij tw fundit me shprehjen se ai do të jetë kryeministër i ekonomisë. “Po çfarë kryeministër ekonomie thotë ai. Me atë plan taksash ku do t’i gjejë paratë për të investuar te Sudja? Sudja të paktën e kishte fytyrën më të sinqertë”, tha Rama.
Kryeministri ka sulmuar edhe Unionin e Gjykatësve të Shqipërisë për padinë që kanë bërë në Gjykatën Kushtetuese për ligjin e vetingut. Rama i quajti “skutha” gjyqtarët që vepruan në atë mënyrë për të paditur vetingun, në një kohë kur partitë politike janë në fushatë.
“I patë ata, Unioni i Gjykatësve vajtën në Gjykatë Kushtetuese si skutha, ne këtej në fushatë ata si skutha në Gjykatë Kushtetuese për të rrëzuar pikën themelore të vetingut. Vetingu 3 gjëra ka, e para pasuritë si i ke vënë… Është një reformë që do ta çojë thikën në palcën e korrupsionit dhe ne nuk i ndahemi. Po që të mos i ndahemi duhet të kemi fuqi, të na jepni fuqi të kemi timonin që mos na hedhin të tjerët në humnerë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





