Transmetuar më 07-06-2017, 20:07

Ilir Meta shpërtheu keq ndaj atij që e quajti ish-bashkëkryetar, Edi Ramës. Në një aktivitet elektoral nga Berati, mbrëmjen e sotme, ish-kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, tha se ky qytet e ka pasur prej kohësh LSI-në forcë të parë, ndërsa shtoi se tani është koha që e gjithë Shqipëria të ketë forcë të parë Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Duke replikuar me akuzat e kryeministrit Edi Rama se LSI ka hequr nga puna gra e vajza për një teserë partie, z.Meta i bëri një pyetje mbështetësve të Beratit, se kë grua ka hequr LSI-ja nga puna, Arta Daden apo Valentina Leskaj.

“Kush i hoqi gratë socialiste nga puna për të futur në Parlament kriminelë. Nuk i heq LSI-ja, por ish-bashkëkryetari im zgjodhi vendin më të gabuar, Beratin, për të hapur luftë me LSI. Me inskenime nga më të shëmtuarat dhe me shpifje nga më të papranueshmet, sepse Berati e di shumë mirë se gjatë këtyre viteve ka pasur bashkëjetesë shumë të mirë mes PS-LSI”, u shpreh Meta.

Ai tha se në Berat ka ardhur një kumarxhi, i cili përdor policinë për t’i bërë presion qytetarëve që të mos votojnë LSI-në. 

Z.Meta shtoi më tej se LSI është partia e socialistëve dhe jo e oligarkëve.

Sipas tij, nuk ka patur gjunjë as Berisha i parë për të nënshtruar popullin e Beratit e jo “këta që nuk mbajnë dot ekuilibrat e tyre, e jo më të trembin Beratin, Kuçovën e Shqipërinë”.

Presidenti i zgjedhur dhe kryetar në detyrë i Kuvendit, shkoi më tej duke thënë se “Kur marrin dopingun e dinë veten të fortë, por kur t’u dalë dopingu, do kërkojnë falje për gjithçka kanë shpifur e thënë ndaj jush”.

Sipas tij LSI e ka forcën te djemtë e vajzat, ndaj tha se rinia është në krye të listave. Ai ftoi policinë që të mos përdoret, por t’i lejojë qytetarët të votojnë të lirë.

Meta shtoi se nuk mund të përdoren praktikat policeske të ish kreut të SHIK-ut, Bashkim Gazidede, duke shtuar se taktikave të tilla Berati dhe Shqipëria ua ka treguar vendin me kohë.

“Që të jesh timonier, duhet të jesh i përqendruar, i ekuilibruar, i balancuar, por duhet të dish të përdorësh dhe frenat. Nuk e di se kush e ka penguar timonierin e deritanishëm, sepse ai në krahë të timonit ka pasur Niko Peleshin, jo njeri tjetër. Nëse e ka penguar Niko, të mbajë përgjegjësi Niko. Edhe pse ai e humbi shansin të jetë timonier i mirë, jepini shansin të jetë pasagjer në drejtimin që do marrë LSI”, deklaroi ish-lideri i LSI.

Meta tha se nuk merren vota duke u bërë presion qytetarëve, ndërsa shtoi se ky është koncepti i atyre që i kanë marrë partitë gati. Në këtë drejtim shtoi se Ilir Meta e ka nisur nga qytetarët, ndaj nënvizoi se vizioni i tepsisë vjen nga ata që kanë ardhur me katapult dhe me lugë në brez dhe që ditën e parë janë bërë ministra.

Sipas tij, LSI ka vizionin e mbajtjes së fjalës ndaj qytetarëve, respektin ndaj më të varfrit dhe investimin më të rëndësishëm për të rinjtë dhe fëmijët.

Presidenti i zgjedhur tha se shteti nuk duhet t’i tregojë muskujt me fukarenjtë, por me kriminelët, bosët e drogës dhe zaptuesit e tenderave.

Ai ftoi qytetarët të votojnë për alternativën e rinisë dhe jo të oligarkisë.

“Rritja e LSI solli dashurinë e paparashikuar mes Edit dhe Lulit. Tjetër gjë thoshin para dy javësh, tjetër gjë thonë tani. Ai thotë votoni për mua, po por nuk votuat për mua votoni për Lulin dhe anasjelltas. Kur ju të dy jeni bërë njësoj pse të votojmë për ju, kur kemi një alternativë tjetër”, deklaroi Ilir Meta.

Ai tha se duhet ta marrin me qetësi dhe dashuri, se timoni iku dhe se Shqipëria do të ecë në mënyrë të sigurtë në 26 qershor, duke nënvizuar se nuk ka kohë as për tragjedi dhe as për komedi por se do të fitojë nr.1, LSI.

Vasili: LSI, jo për tahmaqarët, por për shqiptarët

Nga ana e tij kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili tha se partia që ai drejton është një shans për gjithë shqiptarët, jo për tahmaqarët. Sipas tij, shteti i gjobave dhe taksave duhet të marrë fund.

“Kush ka kërcënuar LSI, ka thyer kokën dhe kështu do ta thyejnë në 25 qershor. Asnjë shantazh asnjë kërcënim, cilido qoftë i gjatë apo i vogël, i trashë apo i hollë. Çdo kërcënim për LSI është një buzëqeshje, ndaj le të shkojnë tutje. Arrogancën dhe përbuzjen le ta mbajë tepsia ne kemi modestinë dhe thjeshtësinë që e karakterizon që e karakterizon LSI”, deklaroi Petrit Vasili. /a.y/noa.al 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd