
Kryeministri Edi Rama thotë se nëse ka një gjë për të cilën i vjen zor për vitet që shkuan, janë njerëzit e pafund që janë ndeshur në zyrat e shtetit me sjellje të papranueshme, me refuzimin që të marrin shërbimin që meritojnë si qytetarë dhe me kërkesa për ryshfet.
Duke folur pasditen e sotme në një takim elektoral në Amantia të Vlorës, ai e cilësoi si një sëmundje të vjetër që i ka rrënjët tek partitë politike në Shqipëri dhe tek bashkimi i interesave të partive për të kapur nga brenda shtetin, zyra, agjenci etj.
Sipas tij, në këtë mënyrë pengohet shteti që të bëjë jo vetëm reformat por edhe garantimin e shërbimit publik në çdo zyrë.
Ai ftoi qytetarët se nëse duan që t’i japin fund kësaj historie dhe që pas katër vitesh të ketë shërbim dinjitoz në çdo zyrë, duhet të ndahen tha ai, nga historia e tmerrshme e pafundme 27 vjeçare e ryshfeteve jepjani votën dhe mbështetjen Partisë Socialiste.
Kryeministri kërkoi votën për PS jo për ideologji, por siç deklaroi, se është e vetmja forcë që ka programin që i duhet Shqipërisë për të vrapuar drejt një rritje ekonomike dhe punësimi si asnjëherë më parë duke garantuar drejtësinë dhe transformimin e administratës.
Po ashtu tha se PS ka një skuadër njerëzish që dinë çfarë bëjnë dhe është e vetmja skuadër që ka kokëfortësinë shqiptare për ti çuar gjërat deri në fund.
Në këtë linjë shtoi se çdo votë e hedhur gjetkë, është votë për të penguar vazhdimësinë e reformave të modernizimit të shtetit. “Ne i kemi shqetësuar të tjerët me fabulën e timonit dhe lloj lloj interpretimesh. Kur unë ju them na ndihmoni, ua them dhe socialistëve dhe demokratëve dhe atyre që s’kanë votuar asnjëherë. Na ndihmoni që timonin qeverisës ta mbajmë me përgjegjësi, pa mbajtur të tjerët në prehër, që të kenë një dorë në timon. Nuk kërkojmë më shumë pushtet për vete, por që të bëjmë shumë më tepër për ju. Se po të ishte për pushtetin për vete sot do ishim shumë rehat, Luli do ishte akoma në çadër bashkë me kompleksin Republika e re dhe do e kalonin, qershorin, korrikun, gushtin me rroba banje, duke pritur vetëm ujë dhe ne do u çonim ujë dhe do ishim këtu për qejf 25 qershorin për të marrë 100 e ca mandate. Kjo do ishte shprehja e ambicies për pushtet për vete”, u shpreh Rama.
Ai tha se i vjen për të qeshur me Lulzim Bashën kur thotë se u rrëzua gjysma e qeverisë, dhe tani duhet të rrëzohet gjysma tjetër.
Rama deklaroi se Basha e ka katandisur Partinë Demokratike si gjysmë gjel që këndon vetëm kur del në televizor dhe se para kamerave premton gjithçka.
“Madje dhe po ti thonë se Republika e re do ketë një linjë udhëtimi për të takuar të ndjerët, jam i bindur që do thotë se në Republikën e re, të gjallët do takohen me të vdekurit. Nuk e ka problem të premtojë pensione gjigante, ushqim falas për në gjithë Shqipërinë, që deti të bëhet kos”, deklaroi Edi Rama.
Kryesocialisti tha se kur ishte në bashkinë e Tiranës, Basha premtoi se buka do jetë me çmimin siç e përcakton bashkia, dhe furrtarët do punonin falas, por tha se jo vetëm këtë që nuk e bëri, por as orën e sahatit nuk e rregulloi. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





