Transmetuar më 07-06-2017, 11:52

Kreu i qeverisë, në vijim të fushatës elektorale u ndal sot në një takim me pensionistë të Vlorës. Edi Rama premtoi rritje të pensioneve në mandatin e ardhshëm të qeverisë, ndërsa tha se reforma e re e pensioneve shpëtoi sistemin nga kolapsi.

Edhe në këtë takim, Rama foli për largimet nga puna për tesera partie në këto katër vite.

“Në Berat ishin hequr njerëz padrejtësisht nga puna. Një sanitare me shkopin me leckë ishte hequr nga puna ku punonte prej 20 vitesh. Më erdhi një e-­mail nga një zonjë e më tha që ‘shumë vonë u kujtuat, por më mirë vonë se kurrë’. E gjithë kjo historia është një histori pengmarrje. O do pranosh këtë, ose s’do bësh koalicione. Dy partitë e mëdha janë bërë peng e këtij ankandi. Demokracia nuk është anarki dhe pazar”, tha Kryeministri.

Rama kërkoi votën jo për pushtet, por për të çuar përpara reformat shtetformuese.

“Ne nuk kemi problem pushtetin. Po të donim pushtet për vete, s’kishim nevojë të bënim fushatë. Luli do ishte në çadër me rroba banjo, ne do prisnim 18 qershorin dhe do kishim Parlamentin më të madh që nga ‘91-shi. Ne nuk e bëmë këtë sepse nuk kemi pushtetin qëllim në vetvete”, vijoi më tej Rama. /k.k/noa.al/ 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd