Transmetuar më 07-06-2017, 11:43

Me rastin e Muajit të Ramazanit, kryeministri Edi Rama shtroi një iftar për besimtarët myslimanë të qarkut të Kukësit, ku ishin të pranishëm kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë për Partinë Socialiste në qarkun e Kukësit, znj. Mimi Kodheli, kandidatët e tjerë për deputetë në këtë qark, kryetari i Bashkisë së Hasit, Adem Lala, prefekti i qarkut, Liman Morina si dhe imamët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës.

Në fjalën e saj të shkurtër, ministrja e Mbrojtjes znj. Kodheli përshendeti besimtarët myslimanë në emër të kryeministrit Edi Rama, i cili nuk mundi të ishte i pranishëm, dhe i uroi atyre agjërim të mbarë e të pranuar.

“Thjesht dhe vetëm dua t’ju uroj këtë muaj ta kaloni sa më lehtë, këtë muaj sakrifice, këtë muaj dedikimi, reflektimi, këtë muaj të paqtë që i lidh më shumë komunitetet, i lidh më shumë njerëzit. Duke i lidhur i bën më të ndërgjegjshëm për çka duhet bërë më mirë, i bën më të ndërgjegjshëm për çka duhet bërë, i bën më të ndërgjegjshëm për të qenë të gjithë bashkë, e për ta ndërtuar një shoqëri pa vese, pa mëkate, të drejtë e të barabartë. Ndaj thjesht dhe vetëm më lejoni, përfitoj nga rasti t’ju uroj agjërim të mbarë, zoti jua pranoftë sakrificën edhe respekt shumë për të gjithë ju që sakrificën dini ta ktheni në besim edhe në forcë për të ecur përpara për të bërë gjëra më të mira”, u shpreh Kodheli.

Ndërsa Imami i Kukësit në fjalën e tij vlerësoi gjestin e kryeministrit Edi Rama për të ofruar iftar dhe e falenderoi atë për kujdesin e treguar për besimtarët myslimanë gjatë këtij muaji të shenjtë. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd