Transmetuar më 06-06-2017, 20:00

Kryeministri Edi Rama u kërkoi grave dhe vajzave të ndëshkojnë me votë PD-në, pasi sipas tij kjo parti nuk është akoma gati për të qeverisur. Gjatë takimit me ish-artizane të Kukësit, Rama u bëri thirrje të votojnë me tru në kokë.

“Këtu është fjala për të zgjedhur kalin më të fortë dhe karrocën më të sigurtë, nuk është fjala për histori zemre. Unë vdes për PD, pse do vdesësh. Mbaje në zemër dhe jepini mundësi të përmirësohet. Kush të rreh, të do. Kështu që futini një dru të mirë PD që të zërë mend dhe të bëhet gati kur ti vijë koha, me siguri që do ti vijë një ditë dhe le të vijë të bëjë punë. Vota pa tru është për tu gjetur njerëzve pune, vota me tru është për ti gjet punës njerëzit”, u shpreh Rama.

Kryeministri paralajmëroi një reformë të thellë në administratën publike, duke premtuar se PS do ti japë fund pazareve me vendin e punës. Ftesa e Ramës për të mos votuar partitë e tepsisë u përsërit edhe në Kukës.

“Partitë e vogla janë parti që kanë lindur për vete dhe punojnë vetëm për vete. Me votat që marrin në Shqipëri gjoja për punësim, integrim, stabilitet, lloj-lloj bukurish, bëjnë vetëm një gjë, rrisim pazarin në Tiranë. Pazari është me Drejtori, me Agjenci, Inspektoriate dhe keni shembuj dhe këtu në Kukës, i dini mirë ju. Është e turpshme që Shqipëria që do të bëhet anëtare e BE të mos jetë në gjendje që në shtet të punësojë të gjithë ata që kanë shkollë, eksperiencë, që janë patriot dhe duan ti shërbejnë shtetit. Por ta ndajnë shtetin si Bosnje. Këto drejtori janë Republika e një parie, këto janë e tjetrës. Unë nuk bashkëjetoj dot më asnjë sekondë me këto Republika. Më ndihmoni për ta shkallmuar gjithë këtë sistem të kalbur partish që kapin administratën dhe që pastaj e kthejnë sistemin e shërbimeve sistem ryshfetesh. Na ndihmoni t’ju shpëtojmë nga ryshfetet, marifetet, poshtërsitë, poshtërimet në zyrat e shtetit. këtë mund ta bëjmë nëse na jepni autonominë në timon”, tha Rama.

Më tej në fjalën e tij Rama tha se reforma në administratë, është më e vështira pas asaj në drejtësi. “Duhet të shkallmojmë këtë sistem brenda administratës. Është paralelisht me reformën në drejtësi, më e vështira. Janë dy reforma që prekin interesin e politikanëve. Politikanët nuk e kanë dashur kurrë drejtësinë e pavarur dhe prandaj u bënë këtu gjykatësit zot dhe shkop”. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd