Transmetuar më 06-06-2017, 19:48

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kukës, me gratë artizane të zonës ku ka ironizuar edhe një herë tjetër kreun e PD-së Lulzim Basha. Kryeministri u shpreh se në 5 qarqe të vendit PD nuk ka përfshirë gra në listën  kandidatëve për deputetë dhe e quajti Republikën e re si republikë të burrave.

"Republika e re është republikë burrash. Në pesë qarqe PD nuk ka përfshirë gra në lista. Nuk jemi në kohën e Dritan Shkabës. Ne treguam se nuk jemi armiq me demokratët dhe nëse unë them që të na jepni më shumë mbështetje se në 2013, mos na lini të tjerë në prehër kjo s’është për më shumë pushtet për vete. Se po të ishte për më shumë pushtet nuk do e nxirrnim Lulin nga çadra. Se po të ishte për më shumë pushtet nuk do nxirrnim Lulin nga cadra. Se po të ishte akoma tek çadra ai do kërkonte ujë nga vapa dhe jo Republikë të re. Luli është republikë më vete që ju duhet për fjalime dhe jo për punë.

Më tej Rama vijoi fjalën e tij duke theksuar se, “Luli në Tiranë do ndërtonte tramvajin, thoshte çmimin e bukës do e vendosë bashkia, 4 vjet s’punonte sahati. Unë tani mund t’ju flas se e njoh e kam parë nga afër duhet ta përqendrosh se ikën, s’është në bisedë fare ama i vure TV, u ndez dhe ai, i keni parë ato lodrat e fëmijëve që sa i bën me telekomandë fillojnë kërcejnë, ashtu edhe ai”.

Më tej kryeministri Rama tha se reforma në administratë, është më e vështira pas asaj në drejtësi. “Duhet të shkallmojmë këtë sistem brenda administratës. Është paralelisht me reformën në drejtësi, më e vështira. Janë dy reforma që prekin interesin e politikanëve. Politikanët nuk e kanë dashur kurrë drejtësinë e pavarur dhe prandaj u bënë këtu gjykatësit zot dhe shkop”.

Nga ana tjetër kryedemokrati Lulzim Basha, gjatë takimit me banorët e Farkës, është shprehur se marrëveshja e 18 majit vendosi një standard demokracie, që e lidh fatin e politikanit me atë të qytetarit. “Demokraci e vërtetë është kur qytetarët kanë në dorë politikanët, dhe jo e kundërta” tha Basha, ndërsa bëri të ditur edhe një herë se do të punojë për të luftuar kundër kanabisit dhe koncesioneve dhe gjithçka që rëndon mbi kurrizin e shqiptarëve.

“Nuk mbajti asnjë premtim. Thotë se ekonomia është e mirë sepse rrethohet nga ata të hashashit e të koncesioneve që kanë mbushur thasët me paratë e shqiptarëve. Me ata rri nga mëngjesi në darkë. Shqipëria dhe Tirana nuk janë ata. Ky s’do t’ia dijë sepse e ka mendjen te timoni. Makinë s’ka, i ka mbetur vetëm timoni. 400 milionë euro i ka kushtuar rilindja urbane palmat. 400 mln euro është baras me dyfishim e gjithë pensioneve të shqiptarëve. Njerëzit nuk janë dele. Duhet të kenë punë, kujdes shëndetësor, shkolla, rrugë. Kur t’i kenë këto vijmë te palmat. Është gati të bëjë akrobacira, vetëm të mos merret me problemet dhe ato që ka premtuar. Më kollaj shitet hashashi në Shqipëri sesa një tufë sallate në Tiranë”, tha Basha.

Ndërsa Ilir Meta, gjatë një takimi elektoral të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Shkodër,  deklaroi se “Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur me këta karagjozë”, duke iu referuar krerëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

“LSI forcë e parë sepse Shkodra dhe gjithë Shqipëria ua piu lëngun Tomit dhe Xherrit. Shkodra dhe Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur me këta karagjozë. Nuk ka më kohë për t’u besuar të pabesëve. Vota më 25 qershor, për rininë dhe kundër oligarkisë”, tha Meta.

Ndërsa kreu i LSI-së, Petrit Vasili tha: “Sot në Shkodër vendosim se do jemi forcë e parë. Drejtim i ri do të thotë më pak taksa e më shumë punësim. Rilindja e PS dhe ajo e PD të merret me punë të tjera, drejtimin do ta marrim ne”. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd