Transmetuar më 06-06-2017, 11:04

Sheshi “Skënderbej” do të hapet ditën e shtunë, në orën 19:30. Lajmi u bë publik nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë analizës së punës 2-vjeçare në njësinë 4. Veliaj pati një ftesë për qytetarët për të qenë të pranishëm, ku do të ketë edhe një koncert.

“Ditën e shtunë, në orën 19.30, do të kemi një koncert madhështor dhe ashtu si sheshi që është i mbushur me gurë, nga të gjithë trevat e Shqipërisë, po ashtu edhe të gjitha trevat e Shqipërisë, do të jenë në skenë për të hapur me të gjithë qytetin, me të gjithë familjet tona, në një ceremoni të jashtëzakonshme artistike, folklorike, sheshin e të gjithë shqiptarëve”, theksoi Veliaj.

Veliaj shfrytëzoi këtë takim për t’u bërë apel qytetarëve që në 25 qershor të votojnë për Partinë Socialiste, ndërsa akuzoi PD-në si pengesë për zhvillimin e qytetit.

“Republika e re i ka sjellë deputet kësaj zone, atë Strazimirin që shkoi me pistoletë të prishte parkun e kalamajve, të prishte këndin e lodrave. Republika e re i propozon njësinë 4, t’ju sjellë terminatorin e kalamajve. Unë jam shumë kurioz si do vijë ai te lagjja juaj, te ky kënd lodrash dhe si do justifikojë faktin që ka bërë hajvanllikun më të madh që të shkojë me pistoletë për të prishur këndin e lodrave”, tha kryebashkiaku.

Veliaj renditi dhe një sërë investimesh që janë realizuar dhe parashikuar për dy vitet e ardhshme. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd