
Duke folur në Top Story nga Berati për shkak të fushatës dhe angazhimeve, kryeministri Edi Rama është shprehur se kërkon të marrë mandat të plotë për të qeverisur i pakushtëzuar nga partitë e vogla.
Rama foli për LSI dhe tha se ai e dëshironte koalicionin me të, por LSI ishte e ngurtë.
Në lidhje me një koalicion të mundshëm me PD pas zgjedhjeve, Rama shprehet se është populli që do të vendosë se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve.
“Dua të lexoj në vendimin e sovranit. Është populli që do të vendosë se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve. Të gjithë jemi të fokusuar për të qenë të hapur me njerëzit. Kemi bërë edhe ne gabimet tona, por në këto 44 muaj kemi provuar që po mundohemi të bëjmë gjëra që të bëjmë shtet. Ne jemi të parët, besoj që nga viti 1991, që e kemi nisur qeverisjen me një vizion të qartë për vendin. Kemi ardhur me vonesë dhe në një moment mosbesimi të madh ndaj politikës. Ne duam përgjegjësinë jo për më shumë pushtet për vete, por për të patur mundësinë për të mos u justifikuar”, deklaron Rama.
Nga ana tjetër kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ftuar në “Opinion” ka deklaruar se nuk ekziston një marrëveshje mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste për të qeverisur së bashku pas zgjedhjeve të 25 qershorit.
Basha shtoi se është në këtë betejë për të fituar këtë garë.
Kreu i PD-së, tha se mundësia për shqiptarët është arritja në fitoren vendimtare të Republikës së Re dhe kjo mundësi ka numrin 6-të.
Pavarësisht se Basha nuk e ndau prerazi çështjen e koalicionit me PS-në, ai la të nënkuptojë se PD është e vendosur për të çuar drejt fitores një kauzë që është më e madhja sot dhe jo vetëm e PD-së.
“Ka vendosmëri për të çuar në fitore një kauzë që është shumë e madhe jo thjesht dhe vetëm e Partisë Demokratike dhe kjo mundësi ka numrin 6-të. Unë jam në këtë betejë për ta fituar në emër të të gjithë qytetarëve”, u shpreh Basha./a.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





