


Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, shprehet se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka kundërshtarë politik në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Vasili shkruan se dy rivalët që LSI ka janë varfëria dhe papunësia, ndaj të cilave siç thotë ai, LSI do të fitojë.
“Kemi dy kundërshtare që duhet t’i mundin këto zgjedhje. Ato janë vetëm dy: varfëria dhe papunësia. Duhet t’i mposhtim patjetër ato”, shkruan Vasili.
Më herët në Lushnje Vasili tha se programi i LSI-së për 4 vjet qeverisje është hartuar nga njerëz profesionistë dhe se jep përgjigjet që kanë munguar.
“Ky program transformimi, ekonomik shoqëror që ndodhet në planin tonë për Shqipërinë jep ato përgjigje që kanë munguar dhe bën shtetin mik të shqiptarëve. Bindja jonë ka ardhur nga mendimi më i mirë profesional.
Kemi një program realist, konkret dhe që hap zhvillim. Me këtë plan i japim përgjigje konkrete intrigave konkrete. U hapim perspektiva të reja dhe jo çadra të vogla,” theksoi Vasili. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





