Transmetuar më 02-06-2017, 21:08

Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija ka kallëzuar penalisht drejtoren e filialit të Postës Shqiptare në Berat, Haris Ngjeqari. Mësohet se kallëzimi është bërë me akuzën për favorizim të një subjekti politik, përkatësisht të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

“Task-Forca e drejtuar nga zëvendëskryeministrja, në zbatim të detyrimeve ligjore është vënë në dijeni të faktit se Drejtorja e Filialit të Posta Shqiptare sh. a., zj. Haris Ngjeqari, gjatë ushtrimit të detyrës së saj shtetërore, përdor në mënyrë të kundraligjshme funksionin e saj në këtë shoqëri me pronësi shtetërore, me qëllim favorizimin e një subjekti politik “Lëvizja Socialiste për Integrim” pjesëmarrës në zgjedhjet e qershorit 2017”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Më tej njoftimi vijon se, “Znj, Ngjeqari konkretisht ka shpërndarë për administratën në varësi, një formular për të paraqitur në të të dhëna personale, me anë të të cilit u kërkohet informacion që mund t’i shërbejë një subjekti politik konkurrues në zgjedhje; ka kërcënuar punonjësit në varësi të saj se, nëse nuk e plotësojnë këtë formular do të largohen nga puna dhe madje ka larguar nga puna punonjës për këtë shkak; ka lejuar kandidatë apo përfaqësues të subjektit politik ‘Lëvizja Socialiste për Integrim’ të bëjnë takime me qëllime propagandistike politike në ambiente të ndryshme të institucionit, madje edhe në zyrën e saj duke thirrur punonjësit një nga një; ka lejuar persona të caktuar në varësi të saj, të angazhohen në veprimtari politike të subjektit politik të sipërcituar gjatë orarit zyrtar të punës duke u paguar rregullisht! Zv/kryeministrja Mandija siguron se është e vendosur në zbatimin e ligjit për çdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin e punonjësve të administratës shtetërore”

Zv/kryeministrja inkurajon punonjësit e administratës dhe çdo qytetar të denoncojë pranë Task-Forcës të drejtuar prej saj, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd