Transmetuar më 02-06-2017, 19:48

Ish-kryetari i LSI Ilir Meta, i pranishëm pasditen e sotme në një takim elektoral në Kamëz, ka komentuar dy koalicionet me PS-në dhe me PD-në gjatë dy mandateve të fundit, duke iu përgjigjur edhe sulmeve të Edi Ramës e Lulzim Bashës.

Meta tha se koalicionet me PD në 2009 dhe me PS në 2013 janë bërë për stabilitetin e vendit, ndërsa kërkoi që tashmë LSI të dalë forcë e parë që të qeverisë e vetme dhe të mos jetë patericë e PS apo PD.

“Mos ua lini Shqipërinë oligarkëve, merrni Shqipërinë në duart tuaja. Nuk kemi në listën e LSI për Tiranë biznesmenë që shkojnë në parlament për ti vënë gjoba qeverisë apo partisë. A ka qenë LSI në të kaluarën në pushtet? Është pyetje shumë e drejtë dhe përgjigja është shumë e drejtë. Ka qenë në vitin 2009 dhe ka bërë koalicion me PD pasi lidershpi i PS refuzoi koalicionin me LSI se donte ta merrte që atëherë i vetëm timonin dhe bëri koalicion me PD për stabilitetin e vendit, dhe gjatë atyre dy viteve ka dy ngjarje madhore, liberalizimi i vizave dhe gazsjellësi TAP.

A ka qenë LSI në koalicion me PS? Po dhe i ka vënë vetëm një kusht kur prishi kontratën me PD, të votonte 3 ligjet për integrimin europian që i kishte bllokuar përpara zgjedhjeve të 2013. Ne kemi qenë edhe në koalicion me PD, edhe me PS por kemi qenë si garanci e stabilitetit të vendit, qeverisjes dhe funksionit të institucioneve demokratike.

Askush nuk mund të thotë se LSI ka bllokuar apo vonuar një ligj që ndihmonte për shpejtimin e integrimit evropian. Por çfarë kërkon LSI tani? Po, LSI as në 2009 dhe as në 2013 nuk ka patur drejtimin e qeverisë, prandaj kërkon të jetë forcë e parë që të ketë drejtimin e qeverisë”, tha Ilir Meta. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd