
Drejtoresha e Zyrës së Punës në Tiranë Marisa Kaçori ka reaguar pas shkarkimit nga detyra me motivacionin se ka marrë pjesë në fushatën e Partisë Socialiste. Sipas saj, ajo nuk ka asnjë dijeni për këtë vendim, për të cilin thotë se e ka mësuar nga media.
Marisa Kaçori ka kërkuar nga ministrja teknike e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Xhuljeta Kërtusha që të faktojë kur ka qenë në fushatën e PS-së.
“Unë personalisht nuk kam asnjë shkresë zyrtare në lidhje me propozimin e ministres për shkarkimin tim nga puna. Nga kontakti që kam patur edhe me drejtorin e Përgjithshëm, më është thënë se edhe ai nuk ka shkresë zyrtare. Kjo do të thotë se lajmin për shkarkimin tim e kam mësuar nga media.
Megjithatë, ministria të më faktojë nëse unë jam marrë me fushatë gjatë orarit zyrtar të punës. Institucioni duhet të sjellë foto bashkë me orarin përkatës në të cilin ato janë shkrepur. Kjo pasi në bazë të urdhrit të kryeministrit, punonjësit e administratës publike mund të merren me fushatë pas orarit zyrtar të punës”, thotë Kaçori. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





