




Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se diçka e madhe po vjen në 25 qershor, për çdo qytetar e qytetare. Ndërsa çeli fushatën në Pogradec paraditen e sotme, ai u zotua se do të jetë Kryeministri i ekonomisë që do të hapë vende pune, do të ulë taksat dhe do të rrisë mirëqenien.
Basha deklaroi se ëndrra e demokracisë u morr peng nga një grup oligarkësh që marrin frytet e demokracisë, ndërsa shtoi se kanë lënë një popull të tërë me gisht në gojë.
Ai cilësoi si problemin kryesor të vendit papunësinë, taksat e larta dhe varfërinë.
“Unë e kam dëgjuar, prekur dhe parë dhimbjen tuaj, drejtpërdrejtë me ju. Vetëm një njeri thotë se ekonomia është në rregull dhe ky është Edi Rama. Ai nuk e njeh dhe nuk e ndjen dhimbjen tuaj, nuk i sheh sipërmarrësit e vegjël që kanë mbyllur qepenat nga pesha e taksave të larta. Rama nuk e njeh dhimbjen e pensionistëve që siç e marrin me një dorë pensionin, e japin me dorën tjetër për drita dhe ilaçe”, u shpreh Basha.
Sipas tij, Rama thotë se Shqipëria është mirë dhe publikon fotografi të rrugëve të nisura nga Partia Demokratike.
Ai tha se i dha 10 milionë euro më shumë për të bërë një devijim, duke shtuar se i dha dy vjet buxhet të bashkisë për 900 metër rrugë, që siç tha ai të postojë kartolina.
Basha deklaroi se Rama jeton me kartolina, siç jeton me palmat dhe shatërvanët por jo me hallet e njerëzve të thjeshtë.
“Për Edi Ramën Shqipëria nuk janë shqiptarët, por fasada dhe pesë veta që kanë marrë mbi 400 milionë euro koncesione. Kur i pyet si janë punët? Si do thonë i kemi keq? Kur lekët i kanë marrë dhe i kanë futur në xhep dhe i thonë se ‘jemi mirë’, ‘ekonomia është mirë”, tha Basha.
Ai deklaroi se kur flet se ekonomia është mirë, Edi Rama e ka fjalën për ekonominë e vetë dhe një grushti njerëzish. Në këtë drejtim tha se taksat janë rritur, çmimet janë rritur, ndërsa deklaroi se ekonomia është shkatërruar.
“Je ti që je shkëputur totalisht nga ekonomia e vërtetë. Ndaj në 25 qershor është koha kur i shkëputur nga flluskat e kartolinave, pikturave është koha të largohesh dhe ti hapësh rrugën një Republike të re, një Kryeministri për qytetarët shqiptarë dhe për ekonominë shqiptare. Nuk do jem Kryeministër i shpenzimeve rrush e kumbullave, por i zgjidhjes së halleve”, tha kreu i PD.
Më tej shigjetoi edhe LSI, duke thënv se ka dy javë që thotë timoni, timoni, kush do ta marrë pushtetin.
"Këtu në Pogradec ka dhjetëra e qindra qytetarë që LSI i përdori si klientë duke i marrë peng, duke i detyruar të marrin karta anëtarësimi për një vend pune. Vëllezër e motra, koha e klientelizmit politik ka marrë fund! Asnjë votë për ata që ju kanë marrë peng. Kthehuni në shtëpinë tuaj! Votat për LSI janë vota në gjol! Kthehuni në shtëpinë tuaj. Nuk do të ketë më pazar, nuk do të ketë më allishverishe! Ndëshkoheni Ramën me votë”, tha ai./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





