
Gjykata për Krime të Rënda e ka lënë në burg Taulant Neçajn, personi që u arrestua pak ditë më parë me akuzën e gjobvënies. 27-vjeçari, u ndalua në datën 31 maj të këtij viti, në afërsi të Laprakës në Tiranë, pasi përmes kanosjes i kishte kërkuar 10 mijë euro një shtetaseje nga Shkodra.
Policia ndërhyri pasi ishte sinjalizuar nga vajza e shantazhuar, me inicialet P.S, duke mbajtur nën gjurmim telefonin e tij. Me ndërhyrjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, pas disa minutash është bërë e mundur kapja e tij.
Në seancën e sotme, togat e zeza dhanë masën e sigurisë arrest me burg për të riun nga Tropoja, mbi të cilin rëndojnë disa akuza, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Shkatërrimit të Pronës” si dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. /k.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





