Transmetuar më 01-06-2017, 23:14

Kryeministri Edi Rama, i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Opinion”, ka zbardhur një pjesë të marrëveshjes që ka bërë me Partinë Demokratike, për futjen e kësaj të fundit në zgjedhje. Sipas Ramës, ministrat teknikë, të propozuar nga Partia Demokratike, do të jenë aty deri me 25 qershor dhe një ditë më pas ata do të largohen.

“Ministrat e opozitës janë kujdestarë të etikës së administratës në zgjedhje deri më 25 qershor. Nëse 25 qershori nxjerr fituese Partinë Socialiste, ministrat teknikë, me datë 26 largohen. Ata nuk kanë asnjë procedurë tjetër që lidhen me politikat e qeverisë apo buxhetin e shtetit. Gjithçka lidhet me zgjedhjet. Marrëveshja nga garanton, që për herë të parë pas zgjedhjeve të kemi një fitues dhe një humbës dhe humbësi të përgëzojë fituesin e tu jepet fund akuzave dhe shpifjeve për manipulim të zgjedhjeve. Nuk kam problem me ministrat teknikë. Nuk jam Kryeministri që duhet të bëjë detyrën e tyre. Zëvendëskryeministrja është e ngarkuar që të koordinojë të gjithë punën e ministrave. Marrëveshja me PD është një marrëveshje për Shqipërinë”, u shpreh Rama.

Nga ana tjetër kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ftuar në Top Story përballë gazetarit Sokol Balla është shprehur se marrëveshja me Partinë Socialiste “ishte për të garantuar garantuar zgjedhje të lira, reformë kushtetuese, reformë zgjedhore dhe votim elektronik dhe numërim elektronik.”

Sipas tij gjithçka që Rama ka bërë është në drejtim të kundërt me interesin e vendit.

“Jo, nuk është kjo marrëveshja. Marrëveshja ishte për të garantuar zgjedhje të lira, reformë kushtetuese, reformë zgjedhore dhe votim elektronik dhe numërim elektronik. Nuk na përputh asgjë, sepse gjithçka që Rama ka bërë është në drejtim të kundërt me interesin e vendit. Ne do të fitojmë këto zgjedhje sepse programi i PD me vulat e ekspertëve ekonomikë të Angela Merkel është zgjidhja që nxjerr Shqipërinë nga kriza. Ne me këtë program dhe ekip kërkojmë dhe do të marrim votën për katër vitet e ardhshme. Unë do të jem kryeministri i ekonomisë dhe do të punojmë për rritjen ekonomike të vendit.ulja e taksave, ulja e TVSH-së në 15 përqind, që u kthejmë shqiptarëve 400 mln euro në vit, taksën e sheshtë 9 përqind, qindra-miliona euro, që biznesi ose i paguan dhe i merr Rama i bën palma, ose është në informalitet ose është i falimentuar. 1 vit stazh për 10 mijë studentë me një rrogë 200 mijë lekë në muaj me marrëveshje me biznesin. Subencione për fermerët, që kjo partia tjetër e ka shndërruar në tollona, në triska,”-shprehet Basha./a.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd