
Kryeministri dhe kryetari i PS Edi Rama gjatë takimit elektoral në Njësinë 5 në Tiranë, ka folur përsëri për makinën me një timon të makinës, duke iu referuar koalicionit qeverisës me LSI. Rama u kërkoi qytetarëve votat që PS të qeverisë e vetme pa asnjë parti në koalicion, dhe mos të mbajnë asnjë tjetër në prehër.
“Po bëjmë një fushatë ku ata që janë në opozitë nuk mund të ankohen se shteti po u bën presion. Por janë pjesë e qeverisë për të garantuar që gara të jetë garë që ne të fitojmë ashtu siç na takon, që ne të fitojmë ashtu si na takon.
Na duhen votat e një shumice që timonin ne ta kemi vet dhe mos kemi të tjerë në prehër, me një dorë në timon dhe me një dorë…. që do të thotë se për të ecur drejt dhe shpejt për t’u bërë pjesë e BE nuk mund të kemi atë rezultat që na duhet sot nëse s’e kemi komplet përgjegjësinë vet dhe përgjigjen pa u justifikuar dhe pa qenë të detyruar të ulim sytë kur vjen dikush dhe thotë, po mirë unë për çfarë votova? Kështu ne nuk arrijmë ta bëjmë shtetin ashtu siç duhet dhe atëherë kur duhet, domethënë sot jo mbas 10 vjetësh”, tha ndër të tjera Edi Rama.
Më pas Kryeministri Rama sulmoi edhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai tha se Basha nuk është gati për t’u bërë kryeministër, sepse sipas tij nuk rri dot zgjuar pasi fiken kamerat.
“Luli nuk është i përgatitur ende për t’u bërë kryeministër. Ai akoma nuk është gati të rrijë zgjuar pasi fiken kamerat. Më besoni se unë e njoh më mirë se ju. Atë duhet ta shkundësh mirë që të bëjë diçka”, tha Rama. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





