Transmetuar më 01-06-2017, 13:06

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Luan Rama shigjetoi ashpër dy partitë kryesore politike atë Socialiste dhe atë Demokratike.

Në një konferencë për mediat, ai tha se PS dhe PD janë në panik prej rritjes së LSI dhe të përçarë e demoralizuar prej listave të kandidatëve të cilat i quajti si skandaloze.

Ai ftoi dy partitë e mëdha që në fokusin e tyre të kenë qytetarët, ndërsa këta të fundit i ftoi të përqendrohen në programin e LSI, për uljen e taksave dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Sipas Ramës, LSI forcë e parë, do të thotë drejtim i ri i qeverisë që ul taksat dhe garanton vende pune të garantuara.

Lidhur me deklaratat e PD, ndaj LSI dhe ironizimit për pretendimin si forcë e parë, Rama tha se “Nuk dua të humbasë kohën me ata që luftojnë për vendin e tretë. Ne jemi në garë për vendin e parë dhe të bindur se LSI do dalë forcë e parë se kjo është zgjidhja më e mirë për qytetarët, nuk na intereson se çfarë mendojnë dhe bëjnë të tjerët”.

Nënkryetari i LSI deklaroi se fokusi është LSI forcë e parë, për të garantuar drejtim të ri qeverisës.

Pyetjes së gazetarëve se LSI ka qenë në koalicion si me PS dhe PD, ai tha se “Me PD ishim në qeveri si garanci e stabilitetit dhe reformave në kuadër të procesit të integrimit të vendit por edhe si profilaksi përballë arrogancës së qeverive. LSI me të dyja qeveritë nuk ka pasur asnjëherë drejtimin e qeverisë, prandaj oferta e LSI është LSI forcë të parë për drejtim të ri”.

Lidhur me renditjen e tij si i pesti në listën e Tiranës, Luan Rama tha se fokusi i renditjes ishte përfaqësimi sa më dinjitoz dhe hartimi i tyre nuk është kushtëzuar nga fakti se në atë moment opozita kishte deklaruar se nuk do hynte në zgjedhje.

“Jemi nisur nga fakti që qytetarët të gjejnë në lista përfaqësuesit e tyre më dinjitoz. Sa për vendin tim, ju siguroj se kisha të njëjtin garanci për të qenë në parlamentin e ardhshëm edhe nëse do isha i dhjeti. LSI në Tiranë është e barabartë me Partinë Socialiste. Ne luftojmë me PS në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Fier për vendin e parë, ndërsa jemi absolutisht të parët në Berat dhe Gjirokastër”. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd