Transmetuar më 01-06-2017, 12:10

Kryeministri Rama, në çelje të fushatës elektorale në Pukë, ka ironizuar kryetarin e Partisë Demokratike duke thënë se nuk bën për Kryeministër të Shqipërisë. Ai u tha qytetarëve të Pukës se tani e njeh Bashën, por kërkoi nga ata që të mos e votojë për të shmangur kthimin pas në kohë, siç deklaroi kreu i qeverisë.

“Dhe kur flet Luli, se tani edhe e njoh, dhe nuk është çun i keq, dhe kur thotë se do jem Kryeministri juaj, mua me kujtohet Sahati i Tiranës. Ishte 4 vjet kryetar bashkie. 4 vjet se ngriti njëherë kokën. Thotë më bëni Kryeministër që t’ua ngel sahatin e Shqipërisëe se mua me rri ora 12”, tha Rama.

Kreu i ekzekutivit shtoi më tej se në 25 qershor, qytetarët shqiptarë janë para dy zgjedhjeve. Ose të hipin në makinën e Partisë Socialiste, ose në karrocën e Partisë Demokratike.

“Unë kam një pyetje për gjithë demokratët. Nëse duhet të shkosh nga Puka në Tiranë, aty ka një makinë, edhe shoferi eshte socialist, ka edhe një karrocë, karrocieri është demokrat. Do shkonit me makinë apo me karrocë? Kështu është edhe edhe qeveria, do makinën tonë për të shkuar në Europë, apo do karrocën e Lulit të të ngelë ora 12, dhe të thotë në çdo moment që jemi në Tiranë dhe s’është nisur akoma nga Puka”.

Me batutë, Rama tha se demokratët e kanë të thjeshtë të votojnë Partinë Socialiste, sepse në çdo miting ngrenë dy gishtat lart, ashtu siç është edhe numri i Partisë Socialiste në fletën e votimit. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd