Transmetuar më 27-05-2017, 20:31

Zbardhen detaje të reja lidhur me hetimet për vrasjen e kreut të OSHEE-së së Vlorës Roland Saliu dhe biznesmenit, Mirvjen Hysenit, pronar i një media lokale në qytetin bregdetar.

Burime brenda grupit hetimor, thonë se në makinën e cila u gjet e djegur në nënkalimin e Panajasë është gjetur një armë, gëzhojat e të cilës përputhen me gëzhojën e gjetura në vendin e krimit, shkruan Ora News.  Kjo ka bërë që grupi hetimor të mendojë se kjo është arma me të cilën është kryer atentati i 24 majit në sheshin “Flamuri” në Vlorë.

Gjithashtu burimet e grupit hetimor thonë se në sediljen e pasme të automjetit, kanë arritur të gjejnë të padjegur plotësisht një maskë të zezë, e cila mendohet se është përdorur nga autorët.

Po ashtu, ekspertet kriminalistë kanë arritur të gjejnë gjurmë por edhe fije floku të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimit të ADN-së. Këto do të hedhin dritë mbi ngjarjen e tre ditëve më parë.

Pistat kryesore të hetimit janë ato që kanë të bëjnë me të shkuarën e Mirvjen (Erven) Hysenit , ku nuk perjashtohet ngjarja e dy viteve më parë në lagjen 24 maji në Vlorë, ku mbeti i vdekur Haki Rakipi i afërm i Hysenit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd