Transmetuar më 16-05-2017, 10:57

Vajza 16- vjeçare e cila gjeti vdekjen në mes të një operacioni në spitalin “Continental” në kryeqytet, ka qenë konkurrente tek spektakli i talenteve “Gjeniu i Vogël”.

Daja i saj, Liro Likaj, bën një postim gjithë indinjatë në Facebook, ku kërkon që të vihet drejtësia në vend, ndërsa thotë se vajzën e motrës së tij e vrau “babëzia e eurove”.

Ai akuzon mjekun e huaj se e futi në operim me urgjencë pasi i duhej të ikte në Greqi, ku punon në një tjetër spital, ndërsa thotë se gjithçka ndodhi prej një dëmtimi në gju gjatë orës së fiskulturës të Blerta Pepës, në shkollën “Andon Zako Çajupi”.

Rreth orës 01:00 pas mesnatës mes të dielës dhe të hënës, në spitalin privat, Pepa gjeti vdekjen gjatë operacionit në gju.

Në gjendje shoku mjeku anestezist Tefik Zhurda, 54 vjeç, banues në Tiranë, në orët e para të ditës së djeshme, pas pak operacionit ka ndërmarrë një akt të rëndë.

Ai tentoi të kryejë vetëvrasje, duke injektuar në trup prepart lëndë anastezie, ku ndodhet në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Postimi i plotë i dajës së të ndjerës

“Unë jam daja i Blerta Pepa e cila ka qenë pjesëmarrëse tek Gjeniu i Vogël. Blerta fatkeqësisht u nda nga jeta në moshën 16- vjeçare mëngjesin e sotëm (dje), në spitalin Continental, pas një ndërhyrje në gju për meniskun dhe ligamentin. Kemi bërë denoncim në polici pasi besojmë qe ka qenë një papërgjegjshmëri dhe tregti me jetën e një fëmije duke qenë se i kryen një operacion si me urgjencë nga ora 10 në mëngjes që ishte planifikuar por e bënë në orën 19.30 të darkës duke qenë se doktori i huaj që bëri ndërhyrjen duhet të iki këtë të martë në Greqi ku gjithashtu punon.

Ju lutem bëjini një tribut Blertës e cila nuk jeton më vetëm për një operacion në gju dhe hetoni apo pasqyrojeni si lajm pasi është tepër e rëndë besoj për të gjithë Shqipërinë që një gjeni e vogël si Blerta, të humbi jetën nga vetëm një ndërhyrje në gju, kur na ishin dhënë të gjitha garancitë që çdo gjë do shkonte mirë nga spitali.

Si i pari i qeverisë të kërkoj të bëhet çdo gjë që drejtësia të vihet në vend pasi ajo vdiq nga babëzia e eurove të spitaleve private e shtetit që nuk u interesua që ta mundësojë shërimin pasi në ministri të Shëndetësisë dhe të Arsimit (u vra në gju në orën e fiskulturës tek Çajupi) dhe përgjigja që sa fëmijë vriten në ditë në shkollë nuk i ndihmojmë dot. Duam drejtësi.” /a.y/noa.al