Transmetuar më 14-05-2017, 10:49

Në vijim të turit të tij të falenderimeve, ish-kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi një takim me banorët e Skraparit.

Në fjalën e tij përpara qytetarëve të Skrapari gjatë takimit të së shtunës, Meta deklaroi se lidhja e tij me qytetarët do të vazhdojë, duke shkuar deri në fshatrat më të thellë për të mbajtur të gjallë kontaktin dhe lidhjen me njerëzit.

Meta shtoi se nëpërmjet bashkëpunimit do të bëhet e mundur që Skrapari të zhvillohet dhe të ketë një mirëqenie më të mirë për banorët e Skraparit.

“Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë për t’i dhënë Skraparit gjithçka që i ka munguar deri tani dhe jam i sigurt se me kontributin tuaj, me angazhimin tuaj do të bëjmë gjithçka që Skrapari të lulëzojë dhe të lulëzojë e ardhmja e familjeve dhe në mënyrë të veçantë e fëmijëve tuaj sepse kjo është më e rëndësishmja për çdo prind”, u shpreh Meta.

Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputet të LSI-së në qarkun e Beratit, Nasip Naço u shpreh përpara qytetarëve të Skraparit se LSI është forca politike e cila e do të japë një shans të gjithëve pasi ajo do të dalë forca e parë politike në zgjedhjet e përgjithshme.

“Jemi avangardë e LSI në qarkun e Beratit dhe i mbijetuar mjaft sfidave dhe sot jemi për të dhënë një shans për të gjithë. Ne dimë ta marrim pushtetin por edhe dimë ta miradministrojmë atë. Do të jemi forcë e parë dhe të tillë do të qeverisim Shqipërinë. Ky është viti i LSI-së”, u shpreh Naço.

Kandidatja për deputete e LSI-së në qarkun e Beratit, Silva Caka vlerësoi rolin e gruas në politikë duke shtuar se Lëvizja Socialiste për Integrim do i japi një shans çdo gruaje dhe vajze për t’u nder e përfaqësuar dhe e barabartë me qytetarët evropian.

Ndërsa kandidati tjetër për deputet i LSI-së në qarkun e Beratit, Gledion Rehovica u shpreh se LSI kërkon ti japë një shans çdo shqiptari. “Ne nuk luftojmë për pushtetin, ne luftojmë për të qenë forcë e parë dhe sot është koha t’i japim një shans të gjithë Shqipërisë”, u shpreh Rehovica.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd